Mashtrimi me mikrokreditë/ Guvernatori Sejko: Banka ka ngritur një grup pune, do vendosim një likuidator

28/05/2024 19:32

Banka e Shqipërisë ka vënë nën administrim dy institucionet financiare jo banka Microcedit Albania dhe FINAL, pasi i hoqi në mënyrë të menjëhershme licencën.

Ortakët e këtyre kompanive janë me masë arresti nga Prokuroria e Tiranës dhe akuzohen se nëpërmjet skemave të mashtrimit financiar kanë zhvatur në mënyrë të paligjshme pronat e qytetarëve.

Në raportimin vjetor në komisionin e ekonomisë guvernatori Sejko u shpreh se tani do të fillojë faza e likuidimit dhe menaxhimit të 32 mijë klientëve që kanë kredi pranë këtyre institucioneve

Ne kemi ngritur një grup pune, të cilat janë alokuar vetëm për këto dy kompani. Kemi bllokuar vetëm për mos tërheqje dhe jo për derdhje. I kemi çuar një njoftim Kadastrës që të mos kryejnë tjetërsime pronash, për ta ditur këtë revokim liçense. Kemi një plan pune dhe jemi duke bërë definimet ligjore, pasi është hera e parë që bëhet fjalë për një gjë të tillë. Në varësi të ligjit të bankave që kemi për institucionet financiare dhe bankat, po bëjmë definimet ligjore, për të bërë definimet për administrimin e këtyre kompanive. Do të komunikojmë me Ministrinë e Drejtësisë, në bazë të kërkesave ligjore, për të përcaktuar një likuidator për secilën kompani dhe pastaj do të përpunohet një plan masash në vazhdueshmëri për trajtimin e problematikave me likudatorin, gjithmonë nën mbikëqyrjen e bankës së Shqipërisë”-u shpreh Sejko.

Guvernatori në përgjigje të pyetjes së deputetëve dha shpjegime dhe për fenomenin e pastrimit të parave në sistemin financiar, një shqetësim i ngritur më herët edhe nga drejtuesi i SPAK, Altin Dumani, në raportimin e tij

Nëse leku i pistë ndikoi te zhvlerësimi i fortë i euros në dy vitet e fundit, Guvernatori Sejko hodhi poshtë tezën duke e lidhur me forcimin e ekonomisë shqiptare.

Në raportin vjetor të BSH u evidentuan edhe sulmet që bankat dhe sistemet e pagesave kanë pësuar nga hakerat, por që kanë dështuar. Sipas institucionit monetar sulmet kibernetike janë rreziku kryesor tashmë për sistemin financiar.

Top Channel