Demokratët morën goditjen e parë në Kushtetuese, sa i takon hetimit parlamentare pasi kërkesa për pezullimin e ligjit të ri për komisionet hetimore u rrëzua.
Me vendim të ndërmjetëm gjyqtarët kushtetues lanë në fuqi ligjin e hartuar nga socialistët duke paralajmëruar se shumë shpejt do të thonë fjalën e fundit mbi kushtetutshmërinë e ligjit.
“Vendosi të rrëzojë më shumicë votash kërkesën për pezullimin e ligjit për komisionet hetimore pasi vlerësoi që nuk plotëson kriteret e nenit 45 të ligjit në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjet pritet të përfundojë së shpejti”, tha Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.
Vendimi nuk u mirëprit nga demokratët me argumentin se me ligjin e ri hetimi parlamentar është në dorën e socialistëve, edhe pse komisionet i kërkon pakica.
“Komisionet Hetimore ngrihen kryesisht nga pakicat për të hetuar aferat e mundshme korruptive për të hetuar cenimin e ligjit nga mazhoranca dhe nga qeveria dhe që sigurisht ndryshimet ligjore e kufizojnë haptazi thellësisht të drejtën e opozitës”, tha Dhurata Çupi.
Pavarësisht betejës në Kushtetuese opozita ka pranuar të hetojë mazhorancën me rregullat e saj në dy komisionet e ngritura atë të TIMS dhe koncesionet në Shëndetësi.
Top Channel