Gjashtë shqiptarë “sfidojnë” Nigel Farage, i futen me jaht në zonën e tij elektorale në Clacton

05/07/2026 19:41

Prej vitesh Nigel Farage, kreu i partisë Reformë UK, për retorikë politike sulmon shqiptarët, të cilët në mënyra të ndryshme mbërrijnë në Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithatë, një grup shqiptarësh e kanë sfiduar duke mbërritur me një jaht pikërisht në Clacton, zonën ku ai është zgjedhur deputet në jug të Anglisë.

NCA, Agjencia Britanike Kundër Krimit të Organizuar, thotë se shtetasit polakë Konrad Dabrëski (25 vjeç) dhe Damian Ciuron (41 vjeç), të dy banues në Bradford, u arrestuan nga oficerët e Policisë së Essex-it në Holland-on-Sea, pranë Clacton, të mërkurën, më 1 korrik, nën dyshimin për lehtësimin e emigracionit të paligjshëm, pasi një mjet lundrues jaht u pa duke zbritur një numër personash në bregdet.

Christian Albano (45 vjeç), shtetas italian, u arrestua më pas në det nga oficerët e Komandës për Sigurinë Kufitare nën dyshimin për të njëjtën vepër penale.

Një burrë i katërt, gjithashtu i arrestuar nën dyshimin për vepra penale të lehtësimit të emigracionit të paligjshëm, një shtetas shqiptar 57-vjeçar, vazhdon të mbahet në paraburgim.

Gjashtë personat që ndodheshin në bordin e mjetit lundrues janë ndaluar për shkelje të ligjeve të emigracionit.

Një zëdhënës i NCA i tha Top Channel përmes postës elektronike se të gjashtë personat e kapur brenda në jaht janë shtetas shqiptarë.

Javën e shkuar Daily Mail online publikoi një artikull ku tregonte se si funksionon trendi më i ri i kalimit ilegal të shqiptarëve me jaht nga Belgjika dhe Holanda drejt brigjeve angleze, ku ankorohen në marinat private.

Pikënisja e shkrimit të Daily Mail online janë këto oferta për të hyrë në Angli me jaht të reklamuara në Tik Tok me një çmim prej 13.000 stërlinash për person.

Top Channel