Gjykata Kushtetuese rrëzon kërkesën për pezullimin e ligjit për komisionet hetimore, ja kur merret vendimi përfundimtar

27/05/2024 15:40

Demokratët morën goditjen e parë në Kushtetuese, sa i takon hetimit parlamentare pasi kërkesa për pezullimin e ligjit të ri për komisionet hetimore u rrëzua. 

Me vendim të ndërmjetëm  gjyqtarët  kushtetues lanë  në fuqi ligjin e hartuar  nga  socialistët duke paralajmëruar se shumë shpejt do të thonë fjalën e fundit mbi kushtetutshmërinë e ligjit.

“Vendosi të rrëzojë  më shumicë votash kërkesën për pezullimin e ligjit për komisionet hetimore  pasi vlerësoi që nuk plotëson kriteret e nenit 45  të ligjit në lidhje me pasojat e pariparueshme dhe urgjencën në kushtet kur gjykata ka pranuar kërkesën për  përshpejtim dhe gjykimi për themelin e çështjet pritet të përfundojë së shpejti”, tha Holta Zaçaj, kryetare e Gjykatës Kushtetuese.

Vendimi nuk u mirëprit nga demokratët  me argumentin se me ligjin  e ri hetimi parlamentar është në dorën e socialistëve, edhe pse komisionet i kërkon pakica.

 Komisionet  Hetimore ngrihen kryesisht nga pakicat për të hetuar aferat e mundshme korruptive për të hetuar cenimin e ligjit nga mazhoranca dhe nga qeveria dhe që sigurisht ndryshimet ligjore e kufizojnë haptazi thellësisht të drejtën e opozitës”, tha Dhurata Çupi.

Pavarësisht betejës në Kushtetuese opozita ka pranuar të hetojë mazhorancën me rregullat e saj në dy komisionet e ngritura atë të TIMS dhe koncesionet në Shëndetësi.

Top Channel