Kryeministri Edi Rama është takuar sot me shqiptarët e Italisë, në vazhdën e tureve me diasporën, pas atij në Greqi.
Gjatë fjalës së tij, Rama u shpreh ndër të tjera se BE u zvarrit me zgjerimin “derisa rusët u shfaqen me luftën e parë pushtues, duke e bërë Europën të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë”.
“Një adhurim deri në vetëmohim, i një Italie që në mendjen e Shqiptarëve kishte marrë pamjen e një toke të shenjtë, ku gjendej parajse. Një dashuri pa kushte, por fatkeqësia më e madhe ishte se Shqipëria në sytë e Italisë dukej si një ekran televizori kur ikin dritat, si atëherë kur italianët e fundit u morën në shtëpitë e shqiptarëve të cilët i ushqyen dhe i trajtuan si të shtëpisë derisa i nisën për në familjet e tyre.
Motra e vëllezër, mora shumë mesazhe nga shqiptarët në Itali pas valles kuqezi në zemër të Greqisë. Në më shumë se një rast më thonin që kur të vija në Milano nuk duhet të harroja se edhe ju keni vuajtur. Ndanin histori të trishta dhe të pamundura, histori që e kanë vendin të peizazhe të zymta të shpirtit njerëzor. Me vuajtjet pa zë, në një kohë kur traumat e përpjekjes për t’u përshtatur quheshin domosdoshëmri e procesit të integrimit.
Ne shqiptarët jemi përgjegjës të barabartë për të ardhmen e këtij kontinenti, një Europë që sot është e sfiduar si asnjëherë më parë. Nuk i ndërruat emrat si ata në Greqi, për një arsye që do mbete njollë turpi, në historinë e shoqërisë demokratike.
Sot shtet demokratike ose ia dalin të gjithë së bashkë në Europë, ose mbesim mbrapa në një Europë që sot është më shumë e sfiduar që nga Lufta e Dytë Botërore. Gjermania ia doli të bashkohej pa lojëra politike apo për të pritur që gjermano lindorët të përshtateshin. Ndërsa BE u zvarrit me zgjerimin derisa rusët u shfaqen me luftën e parë pushtues për dekada duke e bërë Europën të kuptojë se duhet të bashkohet një orë e më parë përmes urave të demokracisë, jo të bashkohet me hapin e breshkës përmes buroracisë”, tha Rama.
Top Channel