EMRAT/ Tjetërsuan 151 mijë m2 tokë në Spitallë të Durrësit, Apeli lë në burg ish-zyrtarët

23/05/2024 15:09

Apeli ka lënë në burg  të arrestuarit për tjetërsimin e 151 mijë m2 tokë në Spitallë të Durrësit.

Apeli vendosi të lërë në fuqi vendimin e Gjyaktës së Durrësit për Leonard Kadrimin, Ardit Kërtushën, dhe Dashnor Taullën, duke i lënë në burg.

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në Komisariatin e Policisë Durrës, ka bërë kallëzim shtetasi me iniciale F. Sh, i cili ka deklaruar se është bashkëpronar në dy parcela toke në Spitallë, Durrës dhe ka pretenduar se disa punonjës të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës, e kanë tjetërsuar pronën e tij. Në kuadër të këtij kallëzimi është regjistruar procedimi penal në ngarkim të disa shtetasve.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, ka zhvilluar gjykimin lidhur me verifikimin e kushteve ligjore mbi zbatimin e masës së sigurimit “arrest në burg”, ndaj personave nën hetim shtetasve me iniciale A. K dhe D. T, të dyshuar për kryerjen e veprave penale  “Mashtrimi” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, të parashikuar nga neni 143/3 e 25 dhe 287/2 shkronja “a” të Kodit Penal, si dhe ndaj shtetasit me iniciale L. K, me detyrë zëvendësregjistrues i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës Durrës në kohën e kryerjes së veprës penale, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga 287/2 shkronja “a” të Kodit Penal.

Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me vendimin datë 14.04.2024, ka vendosur:

-Verifikimin dhe konstatimin e respektimit të kushteve dhe kritereve për zbatimin e masës shtrënguese “arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i K.Pr.Penale, caktuar ndaj personave nën hetim A. K, D. T, L. K me vendimin penal datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

-Personat nën hetim A. K, D. T, L. K, mbeten me masën e sigurimit të caktuar me vendimin penal datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimeve:

– Nga personi nën hetim me iniciale A. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi personal më të butë.

– Nga personi nën hetim me iniciale L. K, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit për sa i përket masës së sigurimit, hetimin në gjendje të lirë pa masë sigurimi, në alternativë caktimin e masës së  sigurimit “detyrimin për tu paraqitur në policinë gjyqësore”.

– Nga personi nën hetim me iniciale D. T, i cili kërkoi ndryshimin e vendimit dhe caktimin e një mase sigurimi personal më të butë.

Në përfundim të gjykimit, sot me datë 23.05.2024, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Gjyqtare z. Fatri Islamaj vendosi:

-Miratimin e vendimit datë 14.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, me të cilin është bërë verifikimi i kushteve të zbatimit të masës së sigurimit “arrest në burg”, të caktuar me vendimin datë 11.04.2024 të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës ndaj personave nën hetim D. T, A. K, L. K.

Top Channel