Një grua është dënuar me 17 vite burg nga Prokuroria e Beratit, pasi dyshohet se në bashkëpunim me djalin e saj ka trafikuar për prostitucion nusen në Itali.
Ngjarja e ka ndodhur në vitin 2018, ku “viktima” M. S., ka qenë e papunë dhe i është drejtuar shërbimet sociale të qytetit. Aty është njohur me një person, me të cilin më pas edhe janë martuar E. M. Ajo ka shkuar të jetojë te shtëpia e tij, ku në fillim e trajtonte mirë, por më pas nisën dyshimet për sinqeritetin.
Kjo pasi gjatë një bisede në Facebook, ajo ka zbuluar planin e bashkëshortit me të ëmën e tij D. Sh, për ta dërguar në Itali. Vjehrra dhe bashkëshorti e kanë kërcënuar që do t’i bindej atyre, përndryshe do të t’i vrisnin mamanë.
“Ti do të vish në Itali dhe po hape gojën të shkosh në polici ne do të vrasim mamanë”, zbulohet t’i ketë thënë ajo.
Në bashkëpunim edhe me një person tjetër, F. D., ata e kanë rekrutuar, transportuar dhe trafikuar gruan nga Berati në Vlorë dhe më pas në Itali, nëpërmjet fshehjes dhe skllavërimit, duke e ndaluar të komunikojë me persona të tjerë, të afërm apo familjarë.
Njoftimi i plotë i Prokurorisë Berat
Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat përfundoi hetimin për procedimin penal nr.221 të vitit 2018 dhe kërkoi dënimin me 22 vite burg të të pandehurës D.Sh për veprën penale ‘Trafikimi i personave të rritur’, parashikuar nga neni a/4 i Kodit Penal.
Në përfundim të gjykimit dhe pas analizës në tërësi të të dhënave dhe provave të marra, Prokuroria arriti në përfundimin se, ka të prova të mjaftueshme se e pandehura D.Sh, në bashkëpunim me shtetasit E.M. dhe F.D. ka kryer veprën penale për të cilën u akuzua. Ajo me veprime aktive ka rekrutuar, transportuar në shtetin Italian, viktimën M.S., me qëllim shfrytëzimin për prostitucion.
E pandehura D.Sh e ka rekrutuar, transportuar dhe trafikuar nga Berati në Vlorë e më pas në shtetin Italian, nëpërmjet fshehjes dhe formës së ngjashme me skllavërimin duke e ndaluar të takohet dhe komunikojë me persona të tjerë dhe familjarët, duke e detyruar që t’i bindej çdo urdhri të saj. Ajo e ka trafikuar viktimën M.S., fakt ky i provuar edhe nga deklarimet e viktimës, se e pandehura i ka thënë- ti do të vish në Itali dhe po hape gojën të shkosh në polici ne do të vrasim mamanë.
Viktima, shtetasja M.S. ka deklaruar se rreth muajit Shkurt të vitit 2018 ka qenë e papunë dhe e asistuar nga shërbimet sociale të qytetit të Beratit është njohur me të pandehurin E.M., njohje e cila pas pak kohësh është zyrtarizuar dhe në familjet e tyre. Pas përfundimit të ceremonive përkatëse ajo ka shkuar të jetojë tek banesa e të fejuarit i cili përgjithësisht e trajtonte mirë por shumë shpejt nisën dyshimet për sinqeritetin e të pandehurit kur gjatë një bisede në rrjetin social facebook, ajo e prezantuar në komunikim me të ëmën e tij, shtetasen D.S. dhe ka zbuluar planin për dërgimin e saj në Itali.
Në përfundim të hetimeve dhe konkluzioneve të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të juridiksionit të Përgjithshëm Berat, gjykata e shpalli të pandehurën D.Sh. fajtore dhe e dënoi me 17 vite burgim.
Top Channel