Në lidhje me incidentin e datës 5 tetor, në Tiranë, ku u sulmua gazetari Bledi Mane, strukturat e Policisë po kryejnë veprimet procedurale për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e personave të përfshirë dhe referimin e çështjes pranë organit të Prokurorisë, në përputhje me ligjin.
Në një reagim, Policia e Shtetit deklaron se dënon çdo akt dhune, kanosjeje apo intimidimi ndaj qytetarëve dhe garanton të drejtën kushtetuese për të protestuar në mënyrë paqësore. Por ushtrimi i kësaj të drejte nuk mund të përdoret për të kanosur, shënjestruar apo sulmuar qytetarë të tjerë, për shkak të mendimeve dhe bindjeve të tyre.
“Askush nuk mund të marrë ligjin në duart e veta, të vendosë se kush duhet ndëshkuar dhe ta zbatojë këtë vendim në rrugë. Zbatimi i ligjit është përgjegjësi ekskluzive e institucioneve të shtetit.
Policia e Shtetit iu bën thirrje qytetarëve që të shmangin çdo formë konfrontimi dhe të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. Çdo person që ndihet i kërcënuar apo i kanosur duhet t’u drejtohet strukturave të Policisë. Çdo kallëzim do të trajtohet me seriozitet dhe në përputhje me ligjin.
Policia e Shtetit do të mbrojë njësoj qytetarin që proteston dhe qytetarin që mendon ndryshe. Liria e protestës, liria e shprehjes dhe siguria e çdo qytetari garantohen nga ligji dhe do të mbrohen pa asnjë dallim”, thuhet në deklaratë.
Top Channel