Video shokuese e Puff Diddy që rreh brutalisht të dashurën Cassie pasi e ndjek në korridorin e hotelit të Los Angeles (fotot)

17/05/2024 21:50

Në pamje shokuese të kamerave të sigurisë ylli amerikan i muzikës Diddy shihet që sulmon brutalisht ish-të dashurën Cassie në një hotel në Los Angeles në 2016.

Video e publikuar fillimisht nga CNN, tregon reperin, emri i vërtetë i të cilit është Sean Combs, që ndjek Cassie gjysmë i zhveshur në korridorin e hotelit InterContinental dhe e kap nga flokët para se të mbërrijë te ashensori, duke e përplasur përtokë.

Teksa vajza qëndron shtrirë pa lëvizur, Diddy e qëllon sërisht me shkelm dhe më pas e tërheq në dhomë nga veshja e saj.

Pamjet nga InterContinental Hotel datojnë nga marsi 2016.

Ironikisht dy ditë më vonë çifti janë paraqitur së bashku në tapetin e kuq të premierës së filmit “The Perfect Match” (Përputhja e përkryer).

Në një deklaratë për DailyMail.com, avokati i Cassie, Douglas Wigdor tha: “Video shokuese konfirmon më tej sjelljen e sëmurë e predatore të zotit Combs.”

“Fjalët nuk mund të shprehin guximin e zonjës Ventura që ka insistuar që diçka e tillë të publikohet”.

Cassie ka paditur Combs vitin e kaluar për dhunë, përdhunim e shkelje të tjera.

Dyshja e mbylli çështjen jashtë gjykate, për një shumë të papublikuar.

Asokohe Cassie deklaroi: “Vendosa ta mbyll këtë çështje miqësisht për të pasur një masë kontrolli. Falënderoj fansat dhe familjen për mbështetjen”.

Megjithë pamjet e qarta të dhunës, avokati i Diddy tha se ‘mbyllja e cështjes’ nuk do të thotë pranim të fajit.

“Zoti Combs mohon akuzat e dhunës. Prej gjashtë muajsh ai ka qenë objekt i kërkesave të vazhdueshme të zonjës Ventura për $30 milionë, me kërcënimin e një libri me deklarata dëmtuese, që mund të konsiderohet shantazh”.

Çifti kanë qenë bashkë nga viti 2007 deri në 2018, pasi ishin njohur në 2006 kur ajo ishte 19 vjeçe, kurse reperi 37 vjeç.

Cassie ka përshkruar vite të tëra torture në marrëdhënien e tyre ku reperi i famshëm kontrollonte çdo gjë që bënte dhe abuzonte me të.

Pamjet e incidentit të 2016 vijnë teksa policia e Miami e Los Angeles po heton këngëtarin për akuza trafiku seksual dhe pedofilie.

Në shkurt një producent muzikor dëshmoi se Diddy e kishte nxitur të kërkonte prostituta dhe e kishte detyruar të bënte seks me to.

Një grua akuzuese e Combs thotë se ai e ka përdhunuar dy dekada më parë kur ajo ishte 17 vjeçe.

Combs dhe avokatët e tij mohojnë akuzat. //DailyMail//

FOTO GALERI
5/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA