Liderët arabë mblidhen për Gazën/ Po avancon zgjidhja finale me dy shtete? BE thirrje Izraelit: Ndaloni menjëherë operacionin ushtarak në Rafah

16/05/2024 13:48

Liderët arabë takohen sot në Bahrejn për një samit të dominuar nga konflikti mes Izraelit dhe Hamasit, teksa gjasat për arritjen e shpejtë të një armëpushimi të shumëkërkuar, duken të vogla.

Kjo është hera e parë që krerët e bllokut 22 anëtarësh të Ligës Arabe takohen që nga samiti i jashtëzakonshëm në Riad të Arabisë Saudite i mbajtur nëntorin e kaluar, pjesë e të cilit u bënë anëtarët e Organizatës për Bashkëpunim Islamik. Asokohe, udhëheqësit arabë, edhe pse e dënuan ashpër ofensivën izraelite që ka shkatërruar thuajse krejtësisht një pjesë të enklavës palestineze, nuk e aprovuan vendosjen e masave ndëshkuese ekonomike ndaj shtetit hebre, dhe as nuk vendosën ndërmarrjen e ndonjë hapi politik kundër Izraelit.

Analistë të huaj tani thonë se gjërat mund të ndryshojnë, dhe kjo vetëm për shkak të situatës në rajon, por edhe prej rritjes së ndjeshme në mbarë botën të përkrahjes për zgjidhjen me dy shtete, e cila të përmbyllë më në fund konfliktin mes izraelitëve dhe palestinezëve, të shtrirë në kohë. Së fundi, edhe BE-ja i bëri thirrje Izraelit të ndërpresë menjëherë operacionin ushtarak në Rafah, qyteti në jug të Gazës, ku janë zhvendosur një numër i madh palestinezësh të larguar nga pjesë të tjera të territorit për shkak të luftimeve.

Shefi i Politikës së Jashtme të Bashkimit Europian Josep Borrel e pranoie të drejtën e Izraelit për t’u mbrojtur, por po ashtu thekson se Izraeli duhet të zbatojë ligjet ndërkombëtare dhe të mbrojë civilët. “Izraelit të tregojë vetëpërmbajtje për të mos e përkeqësuar gjendjen e rëndë humanitare në Gazë dhe të hapë sërish pikat e kalimit kufitar në Rafah. Vazhdimi i operaciomnit atje do të cojë në mënyrë të pashmangshme në një tendosje të madhe marrëdhënieve mes Bashkimit Europian dhe Izraelit”, u shpreh Borrell.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA