Të shpërndara në rajonin e Johannesburg në Afrikën e Jugut, qindra miniera të braktisura floriri tërheqin aktivitet ilegal minerar dhe banda të dhunshme që prekin komunitetet e varfra vendase.
Zamimpilo në perëndim të Johannesburg, qëndron mbi një minierë të vjetër floriri dhe komuniteti informal i banoreve thotë se janë të terrorizuar nga kërkuesit ilegalë, të njohur ndryshe si ‘zama zama’ – të cilët nuk i ndalon askush në aktivitetin e tyre.
Rezidenti Lutho Makheyi thotë se nganjëherë njerëzit duhet të shtrihen në shtëpitë e tyre nga frika e plumbave.
“Kur dëgjojmë që vijnë ne fshihemi poshtë krevatit, jemi të frikësuar nga dhuna, nuk e dimë nëse do të zgjohemi gjallë të nesërmen, pa e ditur se çfarë do të bëjnë Zama Zama-t”.
Rezidentja Nokuzola Qwayede tha se aktiviteti i kërkuesve ilegalë po dëmtonte terrenin e shtëpive të tyre.
“Toka ku janë ndërtuar kasollet tona po fundoset, sepse ata gërmojnë të gjithë rërën dhe e nxjerrin”, tha Nokuzola.
“Policia ishte më parë këtu, ata qëndruan disa javë në kamp, por aktivitetet vazhdonin nga brenda kampit, kasollet tona po dëmtohen ndërsa pushkët e tyre vazhdojnë të qëllojnë”.
Ndërsa kërkuesit informalë nuk dukej se e kishin idenë e dëmit që u shkaktonin banorëve të varfër. Një prej tyre foli me rrjetin AFP, pa pranuar të identifikohej:
“Unë e bëj këtë sepse kam parë të tjerë që e bëjnë, fitoj pak para. Në fillim është e frikshme por më vonë ia merr dorën dhe bëhet e thjeshtë”./AFP/
Top Channel