Banorë të tjerë kanë dhënë detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Durrës, ku babai mbante peng dy fëmijët e tij të mitur..
Dy nga fqinjët, të pyetur nga Top Channel, deklarojnë se fëmijët kishin rreth një muaj që ndodheshin në këtë shtëpi dhe se nuk kanë asnjë informacion tjetër.
“Fëmijët kemi parë, kanë gati një muaj këtu, lër rroba këtu, lër rroba atje. Policinë nuk e kemi parë, fëmijët kemi parë, nuk dimë gjë ”, thanë dy banorë.
“Me qira janë. Sillej mirë me banorët, nuk e di se si i kishte punët. Familje e rregullt ishin, ata jetojnë në Itali. Gruan e tij e quajnë Bardha, vinte dhe ajo këtu. Marrëdhënia ishte e mirë, silleshin mirë me banorët dhe njerëzit. Ka burrë mos të pijë alkool sot? Të gjithë pinë alkool. S’ma merrte mendja se do ndodhte kështu. Ka marrë dy hyrje, ishte i rregullt me pagesat. Këtu ka një muaj që jetonte”, tregon një tjetër.
Aleks Marku kishte disa ditë që kishte ardhur në Durrës dhe kishte marrë apartamentin me qira në katin e parë të këtij objekti tetëkatësh, ku jepen apartamente me qira buzë detit, në zonën e Shkëmbit të Kavajës.
Ai nuk ka qëndruar vazhdimisht në të dhe pas ikjes së fundit është rikthyer mbrëmjen e djeshme. Banorë të tjerë të zonës thonë se e kanë parë dhe të dehur, ndërsa fëmijët lëviznin pa kujdes në zonë.
Top Channel