Manchester United do të bëjë një tjetër përpjekje për të nënshkruar me Frenkie de Jong në merkaton e verës.

Pasi dështuan për të bindur holandezin për të ardhur në “Old Trafford” në verën e vitit 2022, “Djajtë e Kuq” do t’i synojnë përsëri shërbimet e holandezit dhe në rast se Ten Hag qëndron për një tjetër vit, padyshim që negociatat për mesfushorin e Barcelonës do të përshpejtohen.

Kontrata aktuale e 27-vjecarit skadon në verën e vitit 2026, megjithatë ai nuk po ulet me drejtuesit për të biseduar rinovimin, duke i hapur kështu derën Manchester United për negociata.

Një nga repartet më problematike të 20-herë kampionëve të Anglisë këtë sezon ka qenë mesfusha, teksa kanë vuajtur mungesën e një lojtari që mund të diktojë lojën me pasimet dhe të krijojë raste të rrezikshme edhe për sulmuesit. Dëmtimet e shpeshta të Casemiro dhe Mason Mount kanë rezultuar penalizuese.

Vlera momentale në merkato e De Jong është 70 milionë euro. Klubi katalanas pagoi 85 milionë euro për të në vitin 2019, teksa e mori nga Ajaxi.

27-vjeçari ka rezultuar një transferim mjaft i mirë dhe që i përshtatet fizionomisë së lojës së ekipit, por periudha tranzitore e Barcelonës ka bërë që mos t’i dalin në pah të gjitha vlerat.

Frenkie de Jong ka luajtur 213 ndeshje për katalanasit dhe ka shënuar 17 gola dhe ka dhënë 21 asiste./ Super Sport

Top Channel