Apiturizmi në Korçë! Të huajt të fiksuar për bletët, mësojnë proceset e prodhimit të mjaltit

13/05/2024 12:18

Rritja e numrit të turistëve të huaj në Shqipëri gjatë vitit të kaluar ka vazhduar edhe sivjet madje për shumë prej tyre udhëtimi nëpër Shqipëri është një përvojë autentike që lidhet me natyrën.

Një prej alternativave që turistët gjejnë në rajonin e Korçës është edhe apiturizmi ku në një prej fermave të bletëve ata kanë mundësinë të shohin nga afër kosheret e bletëve dhe të njohin të gjitha proceset për prodhimin e mjaltit por edhe të mësojnë rreth zhvillimit të sektorit të bletarisë që nga koha e komunizmit.

“Shumë turistë të huaj mes ofertave për të vizituar qytetet e famshme evropiane apo një destinacion të paekspluruar më parë si Shqipëria shohin tek vendi ynë mundësinë e një eksperience që u ofron emocione të reja afër me natyrën”, tha operatori i apiturizmit Ermal Benga.

“Vij nga Ëallesi dhe zgjodha Shqipërinë pasi isha e interesuar të bëja turizëm në një vend në zhvillim.  Është shumë interesante të jesh këtu dhe të shohësh bletët”.

“Është shumë bukur këtu, ndërtesat janë plot ngjyra dhe shumë të bukura. Është një vend i qetë dhe të jep një ndjesi paqeje. Është hera e parë që vizitoj një fermë bletësh dhe është shumë interesante”, thanë turistët.

Përveç turistëve të huaj, nuk mungojnë as vendasit ndërsa bletërritësit e shohin apiturizmin si një mundësi përmes së cilës të nxitin dëshirën e gjithkujt për tu marrë me bletarinë.

 

Top Channel