Ukrainas të përlotur largohen nga fshatrat e Kharkiv prej ofensivës ruse (fotot)

11/05/2024 19:37

61-vjeçarja Lyubov Oleksiivna Nikolaieva nuk dëshironte të largohej nga shtëpia e saj në fshatin Lyptsi, por detyrohet ta bëjë këtë pas rekomandimeve të zyrtarëve vendas dhe goditjeve të artilerisë teksa tashmë ndodhet në qendrën e evakuimit.

“U bë shumë e frikshme, ne qëndruam deri në momentin e fundit,” thotë gruaja e moshuar, ndërsa si ajo dhe të tjerë po evakuohen gjatë avancimit të ofensivës ruse në lindje të Ukrainës.

Nikolaieva tregon më tej: “Vendosëm më në fund të largoheshim pasi shpërthimet po godisnin fshatin, janë shkaktuar shumë dëme, dyqanet janë thyer, fabrikat janë goditur. Nuk është më e mundur të jetohet aty.”

“Ç’mund të them tjetër, është gjynah. Unë qaja sepse nuk doja të ikja, kemi lënë kafshët aty. Qenin tim u detyrova të zgjidhja. Unë kujdesesha gjithashtu per 4 qen të fqinjëve. Lashë dhe macen aty. I ushqeva për herë të fundit”.

“Më pas na morën mjekët vullnetarë, edhe im bir që është polic erdhi dje më tha të largohesha por unë nuk isha gati. Sot ishte pak më qetë dhe dolëm nga fshati, tani po vijnë dhe të tjerë prej andej”, thotë e moshuara.

Ndërsa rezidentja 43 vjeçare Onadysh Tetyana Viktorovna, tha për rrjetin AFP se nuk kishte arritur të njoftonte të afërmit për largimin:

“Të paktën mund të marrim ndihmë këtu. Atje nuk ka rrymë elektrike por nuk njoftova dot të afërmit, askush nuk e di që jam këtu. Doja të karikoja celularin për t’i thënë ku jam”.

Punonjësi i ndihmës Dmytro Tkachenko, tha se qendra e pritjes po mbushet me të evakuar.

“Situata e vështirë në Vovchansk e Lyptsi, i komplikon evakuimet nga ato zona. Gjithashtu disa njerëz nuk duan të largohen nga shtëpitë e tyre, kryesisht të vjetrit, pasi thonë ‘kjo është toka ime, shtëpia ime, do të qëndroj deri në fund”, shkruan rrjeti AFP.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA