Qindra protestues bastisin fabrikën e Elon Musk në parkun në Gjermani pas planeve të zgjerimit (fotot)

10/05/2024 16:48

Video të publikuara sot tregonin protestues ekstremistë socialë-ekologjikë që përlesheshin me oficerët e policisë gjermane që mbronin fabrikën e milionerit të Tesla në Brandenburg.

Pamjet dramatike tregonin demonstruesit që quheshin nga mediat gjermane “të së majtës ekstreme” apo “anarkistë”, që kalonin me forcë mes linjave të policisë, teksa këta të fundit tentonin t’i ndalonin me spraj djegës ose shkopinj gome.

Kompania Tesla kishte njoftuar kësaj jave se do të ndalonte punën për tre ditë në fabrikën e saj në  Gruenheide prej protestave të paralajmëruara, sipas rrjetit vendas Handelsblatt.

Siguria ishte shtuar rreth fabrikës që ndodhet në zonën piktoreske të liqenit Grünheide pranë Berlinit nga kërcënimi i protestave kundër prodhuesve të makinave elektrike.

Demonstruesit ishin mbledhur nga Gjermania dhe vende të tjera të Evropës për të protestuar kundër planeve për zgjerimin e fabrikës në parkun natyror.

Këshilli lokal i Grünheide pritet të aprovojë planin e zgjerimit të fabrikës këtë muaj, të fabrikës së makinave Tesla që është hapur prej marsit 2022.

Aktivisti lokal Manu Hoyer i grupit ‘Grünheide’ tha për rrjetin vendas Bild: “Ne do të influencojmë përfaqësuesit e komunitetit për të siguruar që kjo të mos ndodhë”.

Ndërsa policia tha se mes protestuesve kishte “militantë të majtë” të grupit “Vulkan Group” që ka shënjestruar dhe më parë grupin Tesla.

Grupimi i paparashikueshëm shkruante online se “kërkojmë një javë veprimi eksitues” pasi ka shumë “mundësi sulmi ndaj kompanive abuzive si Tesla.”

Grupi ekstremist më parë kishte marrë përgjegjësinë për sulm me zjarrvënie ndaj fabrikës gjigante të Tesla në Brandenburg duke kërcënuar se “asnjë impjant Tesla nuk është i sigurt.”

Në një letër të postuar online, grupi akuzon kompaninë e Musk se fabrikat e tij kanë kontaminuar ujin në zonat ku ndodhen, dhe se po “militarizon rrugën, me makina në formë arme të kompjuterizuara”.

Grupi gjerman Vulkangruppe, ose “Grupi i Vullkanit” është monitoruar nga Berlini zyrtar që prej krijimit të tij në 2011.

Autoritetet thonë se është një “grup ekstremist i majtë”  nga Brandenburg, që ka kryer sabotime në hekurudha, linja kabllore dhe antena celulare.

Policia tha se disa persona u arrestuan në protestën e sotme, ku demonstruesit ishin ndarë në dy grupe për të ngatërruar oficerët, shkruan rrjeti britanik The Sun.

FOTO GALERI
2/10
Demonstruesit kalonin me forcë mes linjave të policisë, teksa këta të fundit tentonin t’i ndalonin me spraj djegës ose shkopinj gome.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA