Mori ofertash për ishullin italian që ofronte dhitë e egra për adoptim (fotot)

10/05/2024 18:28

Kryebashkiaku i ishullit italian Alicudi kishte bërë apel për të gjetur një strehë për rreth 600 dhi të egra që duhet të largoheshin nga ishulli i vogël vullkanik në jug të Italisë.

Për ofertën e tij ai kishte pritur interes nga fermerët e ishujve të afërt, të interesuar në prodhimin e djathit tradicional ‘ricotta’.

Por ofertës së tij të “adoptimit të një dhie” iu përgjigjën shumë njerëz nga vende të ndryshme të botës, nga Evropa, SHBA e madje dhe një dashamirës kafshësh nga Nigeria.

Alicudi është ishulli më i vogël i arqipelagut Aeolian pranë Siçilisë, dhe kryebashkiaku Riçardo Gullo kishte llogaritur se numri dhive të egra kishte arritur në gjashtë herë më shumë se popullata e njerëzve prej 100 vetësh.

“Kemi marrë një numër total ofertash prej 1,900,” tha ai i gëzuar. “Reagimi ishte shumë i mirë por shumicën e tyre do të duhet t’i refuzojmë pasi numri dhive në ishull besohet se është diku rreth 600.”

Tani duket se nis detyra e tij i më e vështirë e organizimit të kapjes dhe transportimit të tyre jashtë Alicudi, ishulli vullkanik me sipërfaqe 5 km katrorë, rreth tre orë larg me barkë nga Siçilia.

Me këtë detyrë është ngarkuar Giovanni Dell’Acqua, drejtori i zhvillimeve rurale në Messina në Siçili.

Prej vitesh dhitë zbukuronin panoramën e gurtë në Alicudi duke ecur në faqet e maleve dhe pranë vendbanimeve duke dëmtuar gardhet e bimësinë.

Lorcan O’Neill, nga Roma por me një shtëpi në zotërim në Alicudi, tha se njerëzit më parë shijonin dhitë kur balanca ishte më e përshtatshme.

“Por tani pa predatorë dhe kufizues ato janë kthyer në shkatërruese të bimësisë, nuk mund të rrisësh asgjë se ato ta hanë, dhitë kapërcejnë çdo pengesë dhe hanë çdo gjë jeshile”, tha ai.

Ish-zyrtari i artit shtonte se dhitë meshkuj mund të bëheshin agresivë dhe ishin të frikshëm me brirët e tyre.

“Nuk mund t’i afroheshe malit ose dhe bregdetit, pasi meshkujt janë shumë të mëdhenj, kanë brirë gjigantë dhe mund të bëhen agresivë”.

Ekspertët do të vijnë tashmë në Alicudi për të nisur planin e kapjes së dhive, me gracka ose rrjeta, duke i joshur ato me ushqim.

“Do të jetë e vështira mbajtja e tyre në ambjente të mbyllura pasi janë mësuar me liri të plotë për 20 vjet, prandaj mund të presim probleme”, shtoi Dell’Acqua, sipas rrjetit The Guardian.

FOTO GALERI
1/3
Alicudi, ishulli vullkanik me sipërfaqe 5 km katrorë, rreth tre orë larg me barkë nga Siçilia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA