VMRO-DPMNE është fituese e dyfishtë e zgjedhjeve në Maqedoninë e Veriut.

Kandidatja për presidente nga kjo parti, Gordana Siljanovska-Davkova, fitoi bindshëm me 65% të votave kundrejt presidentit aktual që synonte mandatin e dytë, Stevo Pendarovski, që mori 29%.

Pendarovski gjatë natës së 8 majit, pranoi humbjen, duke thënë me fitoren e VMRO-DPMNE-së, rrezikohet rruga evropiane e Maqedonisë së Veriut.

VMRO-DPMNE shënoi fitore edhe në zgjedhjet parlamentare duke siguruar 58 mandate të deputetëve, për çka e ka edhe legjitimitetin të formojë qeverinë e re maqedonase.

Për të arritur shumicën e thjeshtë parlamentare i duhen edhe tre deputetë, megjithatë, negociatat duke se do të zhvillohen me të gjitha partitë.

Por, vetë kryetari i kësaj partie, Hristjan Micoski, u shpreh se LSDM dhe BDI, duhet të shkojnë në opozitë, duke lënë të hapur bashkëpunimin me opozitën shqiptare, VLEN.

“Populli ka treguar se nuk do të lejojë që individët të krijojnë kriza dhe të mbrojnë veten përmes institucioneve. Është koha që BDI së bashku me LSDM-në të shkojnë në opozitë. Nuk do t’ju zhgënjejmë, rezultatet e punës sonë do të shfaqen në 100 ditët e para të qeverisjes”- tha Mickoski.

Nga opozita shqiptare u shprehën se që nga 9 maji do të nisin negociatat me partinë fituese të zgjedhjeve për formimin e qeverisë së re.

“Thjeshtë mund të shpallim koalicionin e ndryshimit mes VMRO-së dhe VLEN. Gjithë atyre që kanë qenë nën presion, kanë qenë të shantazuar, të kërcënuar nga BDI, nga nesër ju themi se janë të lirë”- tha përfaqësuesi i “VLEN”, Bilall Kasami.

Përkundër vijave të kuqe ndaj VMRO-DPMNE-së, kryetari i BDI-së, parti kjo që udhëheq koalicionin Fronti Evropian e që doli si forca e dytë në Maqedoni të Veriut me 19 mandate të fituara, pret po ashtu diskutime me partinë fituese.

“Të gjithë mund të takohemi, por legjitimitetin e ka forca e dytë në vend”- u shpreh Ali Ahmeti.

Shqiptarët, përkundër rezultatit, pritet që sërish të jenë faktor në formimin e qeverisë së Maqedonisë së Veriut.

“Nëse e shohim nga mandatet, Fronti Evropian ka pothuajve 50% më shumë kundrejt VLEN. Nuk besoj që VMRO do të vazhdojë me këtë retorikë, pasi e di që mund të çojë në mosbindje qytetare dhe bllokime.”- nwnvizoi Faton Aliti.

Më së voni, tre javë pas zgjedhjeve, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut duhet të mbajë seancën për konstituim. Ndërkohë, për formimin e Qeverisë së re maqedonase duhet shumica e thjeshtë parlamentare prej 61 deputetëve.

Top Channel