Bardhi njoftoi se SPAK e ka thirrur për “Xibrakën”, reagon Rama: Llafet i merr era, drejtësia vepron me prova! Mungon konfirmimi në dëshminë ligjore

08/05/2024 19:01

Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi ka publikuar dokumentin, ku njofton se SPAK ka nisur hetimet për vëllanë e kryeministrit Edi Rama, Olsi Rama për laboratorin e drogës në Xibrakë.

Ai u shpreh se është thirur nga Prokuroria e Posaçme që të japë sqarime për çështjen.

Pas postimit të demokratit, ka reaguar kryeministri Edi Rama, ku theksoi se SPAK ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori.

Sipas kreut të qeverisë, në dokumente mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut, “kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale”.

Bardhi: E kam dorëzuar apo nuk e kam dorëzuar kallëzimin në SPAK kundër Ols Ramës? Këtë lojë u përpoq të bënte Edi Rama dhe veglat e tij politike dhe mediatike për të sfumuar thelbin e çështjes: se vëllai i kryeministrit kishte përdorur disa herë të njëjtën makinë me kartelin e drogës së Xibrakës, gjatë kohës së ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Sigurisht, që Edi Rama gënjeu, kur luajti lojën e mohimit të së vërtetës sime, se kallëzimi ishte dorëzuar në SPAK. Kur debatuam për këtë çështje i premtova Edi Ramës se do ta kuptonte shumë shpejt, nëse e kisha bërë apo jo kallëzimin. Në politikë jam futur për të shërbyer me integritet, duke refuzuar makinacionet e ulëta të sulmit të kundërshtarit politik përmes shpifjes apo baltosjes së familjes. Nuk e kam shkelur këtë parim as në rastin e Olsi Ramës, dosja e të cilit, deri dje, rrinte e fshehur, në sirtarët e prokurorisë.

Sot është dita që t’ju provoj se unë as gënjej, as shpif, as baltos dhe ndryshe nga Edi Rama, i mbaj premtimet e mia.

Pas kërkesës sime në SPAK për rinisjen e hetimeve të procedimit penal nr. 335/1 – viti 2016, që Edi Rama do të donte shumë në varrosej, sot jam njoftuar nga SPAK se çështja është riaktivizuar.

SPAK më ka njoftuar zyrtarisht për rifillimim e hetimeve të pezulluara për përfshirjen e Olsit Ramës në dosjen e trafikimit të kokainës në Xibrakë. Procedimi i dikurshëm penal me nr. 335/1-2016, është regjistruar si procedimi nr. 88 – viti 2024. Për këtë çështje jam ftuar për të dhënë sqarime të metejshme në SPAK.

Asnjë propagandë e Edi Ramës, veglave të tij apo mediave në shërbimin e tij nuk e fshehin dot të vërtetën dhe as makinën e kartelit të drogës me targë AA 653 DM, e përdorur nga Olsi Rama, vëllai i kryeministrit Edi Rama!

Rama: Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull!

Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion” në fakt kallzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale.

Në rast se plotësohet kjo mungesë domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme.

Pas deklaratës së Ramës, Bardhi ka reaguar sërish, ku shprehet se kryeministri i jep urdhra SPAK-ut.

Bardhi: Kur piktori bën si jurist! Vëllai i madh i Olsit paska marrë avokat shumë të dobët! Megjithatë lajm i mirë shumë që ka marrë avokat!  Për këto çështjet e trafikantëve të drogës do t’i këshilloja Edi Ramës të nxirrte Ëngjëll Agaçin të flasë se ka eksperiencë në avokatinë e tyre.

E ka bërë lëmsh dhe s’di çfarë shkruan, por në një pikë duket dora e tij: aty ku i jep urdhra SPAK-ut. Gabim i rëndë që, zakonisht, e bën sa herë ka një hall. Halli i ri i Ramës mban numrin 88, dosja e rinisjes së hetimeve nga SPAK për Olsi Ramën dhe kokainën e Xibrakës.

Derisa ta thërresë SPAK-u për shpjegime, mund t’u kursejë shqiptarëve kohë dhe t’u thotë me fjalë piktori:

ÇFARË E LIDH OLSIN ME MAKINËN AA 653 DM?

Top Channel