‘Asnjë vend i sigurt’/ Njerëzit në Rafah përshkruajnë tmerrin e sulmeve të Izraelit (fotot)

08/05/2024 17:58

Agjencitë e ndihmave në Gaza thonë se u ka mbetur vetëm karburant për një ditë në kamionët e tyre të ushqimit, ujit e mjekimeve, duke ndaluar shpërndarjen e ndihmës jetësore për dyqanet e bukës dhe spitalet në territorin nën sulmin e ushtrisë izraelite.

Ata shtonin se të gjitha pikat e hyrjes në jug të Gazës janë të mbyllura dhe se ka nisur grabitja e mallrave të tyre në Rafah, kur magazinat mbetën pa mbrojtje prej kërcënimeve të ushtrisë për ofensivën.

“Karburnati i mbetur mjafton vetëm për një ditë,” tha Georgios Petropoulos, kreu i zyrës humanitare të OKB në Gaza. “Më pas nuk do të lëvizim dot, pa mundur të furnizojmë spitalet”, shkruan rrjeti britanik The Guardian.

Tanket dhe ushtarët izraelitë mbajnë nën kontroll anën palestineze të kufirit me Egjiptin Rafah, në ditën e dytë të sulmeve ajrore që kanë goditur rëndë zonat lindore të qytetit.

Qeveria izraelite thotë se “kërkon të shkatërrojë grupe luftëtarësh të Hamas në Rafah”, ndërsa banorët e tmerruar tregojnë për frikën dhe konfuzionin e tyre.

“Nata ishte e tmerrshme, me predha e goditje artilerie. Fëmijët nuk flinin dot. Unë jam besimtar dhe kam frikë nga vdekja, por më shumë frikë kam nga vuajtja dhe për fëmijët e mi”, tha 58-vjeçari Said Akram Abed Al Nasser, banor në El Geneina në lindje të Rafah.

Rreth 1 milionë palestinezë nga veriu i Gazës po strehohen në Rafah, të detyruar të largohen nga shtëpitë që prej fillimit të konfliktit brutal 6 mujor.

“Jemi zhvendosur disa herë që prej nisjes së dhunës, tani ndoshta duhet të shkojmë përsëri në veri për të gjetur strehim thotë 46 vjeçarja Ghada Lubad, nga kampi i refugjatëve Xhabalia.

Ashtu si të tjerë Lubad trembet se ndalimi i hyrjes së ndihmave në Gaza do të nxisë rritjen e çmimeve të artikujve bazë si mielli, kripa, uji apo mjekimet.

“Kjo do të shkaktojë një tjetër katastrofë, rritja e çmimeve do të sjellë krizë urie”, thotë gruaja.

Dëshmitarët tregonin për familje që largoheshin nga Rafah në këmbë, në gomarë, ose duke ngarkuar sendet e tyre personale në kamionë, pasi ushtria hodhi fletushkat ku urdhëronin rezidentët të linin zonat lindore të qytetit, para bastisjes.

Ushtria izraelite tha se kishte shpërndarë udhëzimet me “njoftime, mesazhe teksti, telefonata dhe transmetime në media në gjuhën arabe”, duke u thënë rezidentëve të shkonin në “zonën humanitare” në brigjet pranë Khan Younis.

Por 62 vjeçari vendas Jihad Ahmed, tha se askush në Gaza nuk ka vend të sigurtë për familjen e tij me nëntë anëtarë..

“Nuk ka asnjë vend të sigurtë ku të largohemi. Unë largova familjen nga qendra e Rafah por djali im qëndroi në shtëpi nga frika se mos e vjedhin’.

OKB ka akuzuar vazhdimisht Izraelin për ndalimin e kalimit të ndihmës humanitare në Gaza dhe Izraeli ka zgjeruar relativisht hyrjet e kamionëve në territorin palestinez.

Një zëdhënës i ushtrisë izraelite tha të martën: “Kriza e urisë në Gaza po orkestrohet nga Hamas … ne po lejojmë kalimin e ndihmës sa mundemi. Sikur Hamas të ndalonte sulmet do të kalonte më shumë ndihmë”.

Ndërsa Mahmoud al-Louh, i larguar me familjen e tij me gjashtë anëtarë fillimisht nga veriu i Gazës drejt Rafah, thotë se shpreson te një armëpushim që të mos detyrohet më të zhvendoset pa ditur se ku.

“Jemi zhvendosur pesë herë deri tani, kam frikë se mos më vrasin ndonjë anëtar të familjes, unë jam babai dhe duhet të mbroj fëmijët dhe gruan time. Lutem për një armëpushim së shpejti që të kthehemi në shtëpi”. /TheGuardian/

FOTO GALERI
2/3
Ushtria izraelite tha se ka nisur dje sulm ndaj "objektivave ne Rafah"

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA