Amerikani arrestohet në Moskë për ‘huliganizëm’ mes rritjes së tensioneve në dy vendet (fotot)

07/05/2024 17:59
Viza ruse e amerikanit të ndaluar

Një turist amerikan që po vizitonte Rusinë për pushime është arrestuar dhe dënuar me 10 ditë paraburgim me akuza të vogla huliganizmi.

Mediat vendase thonin se William Russell Nykum kishte ardhur me pushime në Moskë teksa po qëndronte te disa miqtë e tij, por gjatë një mbrëmjeje në fundjavë ishte zhdukur.

Një burim tha për rrjetin vendas Ren TV se pas zhdukjes më 2 maj, Nykum kishte pretenduar se ishte marrë peng: “Ai piu shumë, nisi të përleshej me miqtë e tij në një bar, dhe tha se e kishin marrë peng, por në fakt u largua me taksi”.

Burimi tregonte dhe më tej për ‘mbrëmjen e pazakontë’ të turistit, duke thënë: “Më pas ai kishte thyer xhamin e një librarie për fëmijë, kishte hyrë brenda dhe e kishte zënë gjumi”.

Rrjeti rus Izvestia, tha se kamerat e sigurisë kishin regjistruar Nycum gjysmë të zhveshur që hynte në librarinë e fëmijëve, derisa u kap nga policia.

Ai bëhet amerikani i dytë që arrestohet  në Rusi pas një oficeri ushtarak që u ndalua më herët për shkelje të vizës.

Rreshteri Gordon Black kishte ardhur në Rusi për t’u takuar me një vajzë me të cilën ai pretendonte se ishte në një lidhje.

Black, sapo kishte mbyllur misionin në Korenë e Jugut dhe kishte shkuar në Rusi pa lejen e eprorëve, shkruan rrjeti britanik Express.

Ushtari gjithashtu po mbahet në paraburgim, teksa zëdhënësja e ushtrisë së SHBA, Cynthia O. Smith tha: “Ai u arrestua në Vladivostok për shkelje të vogla dhe zëdhënës rusë na njoftuan për ndalimin, sipas kushteve të Konventës së Vienës për Marrëdhëniet Konsullore”.

FOTO GALERI
3/3
Viza ruse e amerikanit të ndaluar

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA