Tunizianët protestojnë kundër kampeve të improvizuara të emigrantëve nga jugu i Afrikës (fotot)

04/05/2024 19:28

Qindra tunizianë dolën sot në rrugët e qytetit El Amra për të protestuar kundër kampeve të shumta të improvizuara të emigrantëve, kryesisht nga vendet e Afrikës nën-sahariane.

Korrespondentë të rrjetit AFP thanë se demonstrata në qytetin e vogël në Tunizinë qendrore vjen pas disa fushatave të policisë kundër grumbullimeve të tilla që janë shtuar ndjeshëm në vendin e kthyer në një pikë nisjesh të barkave që kalojnë Mesdheun drejt Evropës.

Protestuesit në El Amra bënin thirrje për “largim” të emigrantëve  dhe “dëbim të shpejtë” të mijëra të huajve që llogaritet se po qëndrojnë aty me shpresë për të kaluar Mesdheun drejt Evropës.

Deputeti vendas Tarek Mahdi tha se nevojitet zgjidhje e menjëhershme për largimin e emigrantëve nga qytetet e zonat urbane pasi situata është bërë ‘e papranueshme.’

Qyteza është vetëm 40 kilometra larg Sfax, një pikë e njohur nisjesh drejt Evropës, e cila u zbraz me forcë vitin e kaluar nga autoritetet.

Prandaj emigrantët kanë kaluar tashmë në qytete si El Amra, duke u vendosur aty para se të tentojnë kalimin e rrezikshëm detar drejt Evropës.

Shumica e emigrantëve të dëshpëruar kërkojnë të mbërrijnë në ishullin italian të Lampedusa që është vetëm 150 kilometra larg brigjeve të Sfax, qyteti dytë më i madh në Tunizi.

Zyrtarë monitorues thanë se dje në kryeqytetin Tunis policia nisi një fushatë spastrimi të qindra emigrantëve ilegalë duke i dërguar ata me autobusë në Perëndim pranë kufirit me Algjerinë.

Ministria e mbrojtjes tha në një deklaratë se masat e sigurisë ishin marrë pas “sulmeve ndaj pronës publike e private”./AFP/

FOTO GALERI
4/5

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA