Nga përdhunimi në Shtëpinë e Fëmijës te trafikimi për prostitucion, 30-vjeçarja rrëfen si e ndihmoi klienti të arratisej: Tutorët më përndjekin ende, shoqet e mia…

01/05/2024 14:40

Sofia u rrit në Shtëpinë e Fëmijës, ku në moshën 12-vjeçare u përdhunua nga roja e institucionit, ndërsa tetë vite më vonë ra pre e trafikimit.

Historia e trishtë u transmetua në “Shqipëria live”, ku Sofia (për arsye mos identifikimi, nuk është përdorur emri i vërtetë), që sot është 30 vjeçe, rrëfeu traumat e jetës së saj.

E reja tregoi se u abuzua nga roja për tri vite me radhë, ndërsa kur ishte 20-vjeçe njohu një djalë që i premtoi se do ta ndihmonte të largohej që aty dhe do të krijonin familje së bashku, por e gjitha kishte qenë mashtrim, pasi ajo ra pre e një rrjeti trafikantësh që shfrytëzonin vajza për prostitucion. Së bashku me 15 vajza të tjera, mbahej e izoluar në një ambient dhe detyrohej të kryente marrëdhënie intime me klientët që paguanin tutorët, derisa një prej klient e ndihmoi të arratisej.

“Ishte shumë njeri i mirë. Ngaqë vinte shpesh, më tha do të të ndihmoj. Dhe ai më ndihmoi të arratisesha. Mbajta kontakt me të, ai më ka ndihmuar deri më sot.

Ishte një natë, më tregoi: do t’i them mos të shkojmë te dhomat ku shkonim gjithmonë, por te hoteli. E patëm pak të vështirë se nuk pranonin, se ata e mendonin se mund të arratiseshim. Më tha do ua mbush mendjen se i njoh ata. Kur shkuam te hoteli, u arratisëm. Kishim shumë frikë. Na ndoqën. Na kërkuan dhe na kërkojnë akoma sot e kësaj dite. Akoma përndiqem edhe unë, edhe ai. Është i njëjti grup, që kam dhe dy goca të tjera që i kam si motra, më kanë çuar foto, më kanë kërcënuar. I kam denoncuar, kam kërkuar ndihmë nga shteti. Kam frikë dhe kjo është arsyeja që kam ardhur te ju, dua mbështetje. Ka një vit që nga shteti s’kam marrë asnjë mbështetje. Ata na kanë ardhur dhe në shtëpi, kam marrë policinë dhe s’na janë gjendur”.

30-vjeçarja dhe personi që e ndihmoi nga tortura janë ende bashkë.

“Kemi sërish lidhje. Jemi njohur në një periudhë që s’duhet të njiheshim, por ishte fati im. Ai e di të gjithë historinë nga fillimi dhe nga ai kam shumë mbështetje. Është shqiptar”.

Sofia zgjodhi ta tregoi historinë e saj si mesazh për të gjithë gratë e vajzat që janë në të tilla situata dhe nuk gjejnë dot forcën për të shpëtuar. Ajo bën apel për ndihmë për shoqet e saj në Shqipëri pasi janë të pasigurta.

Top Channel