Iu vendos lëndë plasëse në banesë, Komisioni i KLGJ vendos mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Sterkaj

29/04/2024 14:04
Pamje nga vendngjarja

Komisioni i posaçëm i Këshillit të Lartë Gjyqësor vendosi mbrojtje të veçantë për gjyqtarin Tonin Sterkajn, të cilit iu vendos lëndë plasëse në banesën e tij në Shkodër një ditë më parë.

Sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha mbrojtja do të jetë për 6 muaj, ndërsa pjesë e mbledhjes ishte edhe ministri i Brendshëm, Taulant Balla.

Ministri në një komunikim për mediat pas mbledhjes tha se shpreson që në vijim të ketë rezultate konkrete, që të jepet mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor.

“Unë kam marrë një takim me magjistratin, i kam shprehur solidaritetin. Policia do iu ofrojë mbrojtje personale dhe familjes të magjistratit. Policia e Shtetit e di fare mirë detyrën e saj.

Shpresoj që në vijim të kemi rezultate konkrete, që të japim mesazh ndaj çdokujt që mundohet të intimidojë sistemin gjyqësor. Duhet më shumë mbështetje ndaj magjistratëve, për të ofruar më shumë siguri ndaj magjistratëve dhe prokurorëve”, tha Balla.

Kujtojmë se rreth orës 03.00 të mëngjesit të së dielës, gjyqtarit Tonin Sterkaj iu vendos lëndë plasëse në oborrin e banesës së tij në qytetin e Shkodrës.

Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani gjyqtari ka deklaruar në polici se nuk ka dijeni kush e ka bërë.

“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.

Grupi hetimor në vendngjarje po heton mbi këtë rast dhe personin apo personat që kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse dhe shkaqet.

Kjo ngjarje e rëndë shkaktoi reagim të fortë nga institucionet në vend, të cilët e konsideruan një akt kriminal dhe burracak.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA