Lëvizje në “frontin e lindjes”, Hamasi: Po shqyrtojmë propozimin e Izraelit për armëpushim

27/04/2024 13:30

Në kohën kur Izraeli duket në fundin e përgatitjeve për sulmin në Rafah, Hamasi njoftoi se është duke shqyrtuar propozimin e shtetit hebre për armëpushim në Gaza.

Grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian pohoi përmes zyrtarit të tij të lartë, Khalil al-Hayya, se është duke e diskutuar propozimin dhe sapo të përfundojë së shqyrtuari atë me kujdes, do të dorëzojë përgjigjen”.

Përpjekjet për arritjen e një pushimzjarri janë shtuar ndjeshëm së fundi, sidomos nga ana e Egjiptit, që shpreson më ngulm në bllokimin e një sulmi izraelit në qytetit kufitar, i cili mund të nxisë një tjetër eksod palestinezësh në tokën egjiptjane. Oferta izraelite së cilës i referohet Hamasi, daton dy javë më parë.

Në fillim të këtij muaji u bisedua mes palëve për një armëpushim gjashtëjavor dhe për lirimin e 40 pengjeve civile dhe të sëmurë, në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë nga burgjet izraelite. Deklarata e Hamasit erdhi vetëm pak orë asi një delegacion egjiptian i nivelit të lartë e kreu një vizitë në Izrael, ku u bisedua për “një vizion të ri” për një armëpushim në Gazë, sipas një zyrtari egjiptian, i cili foli në kushte anonimati.

Që nga shkurti Izraeli diskuton për një ofensivë të mundshme ushtarake në Rafah, në jug të Rripit të Gazës. Sipas raportimeve në mediat izraelite këtë javë forcat e armatosura izraelite ndërkohë i kanë përfunduar përgatitjet për ofensivën. Sipas tyre, tani pritet vetëm OK-i i qeverisë izraelite.

Top Channel