Me njoftimin e fundit, Kingstoni zyrtar i bashkohet bllokut të më shumë se 140 vendeve të OKB që njohin Palestinën si shtet sovran.
“Xhamaika vijon të mbrojë versionin e zgjidhjes me dy shtete të konfliktit të gjatë e të rëndë, me të cilën garantohet siguria e Izraelit ashtu si dhe dinjiteti e të drejtat e palestinezëve”, tha dje ministrja e jashtme xhamajkiane Kamina Johnson Smith.
“Duke njohur Shtetin e Palestinës, Xhamaika forcon qëndrimin e saj në mbrojtje të zgjidhjes paqësore”, shtoi ajo.
Majed Bamya, përfaqesuesi i përhershëm i Palestinës në OKB dha njoftimin në rrjetin Twitter për vendimin e Xhamaikës.
“Faleminderit që mbani qëndrimin për paqen, drejtësinë dhe të drejtën e vetëvendosjes së popujve”, shkruante zv. ministrja e jashtme e Palestinës, Amal Jadou, në rrjetin X, raporton rrjeti turk TRTWorld.
Smith i atribuonte vendimin e vendit të saj shqetësimeve të thella për luftën e Izraelit në Gaza dhe përkeqësimin e krizës humanitare atje.
Jamaica Recognizes Palestine as a State…Media release from Ministry of Foreign Affairs & Foreign Trade… #Jamaica #Palestine pic.twitter.com/o2i7DymTkR
— Susan Goffe (@suezeecue) April 23, 2024
Ajo shtonte se në vend të veprimit ushtarak, qeveritë duhet të mbrojnë qasjen diplomatike për zgjidhjen e konfliktit Izrael-Palestinë.
Smith përsëriste qëndrimin e vendit të saj për armëpushimin e menjëhershëm dhe lejimin e ndihmës humanitare në Gaza, si dhe lirim të pengjeve izraelite.
Ajo theksoi solidaritetin e vet me gratë e fëmijët në Gaza që kanë mbajtur peshën më të rëndë të konfliktit brutal.
Top Channel