Inside Story/ ‘Do takonte një shoqe’, a u ekzekutua për borxhin e pakthyer biznesmeni? Kamerat e sigurisë kapën intenerarin që bëri vrasësi

24/04/2024 22:07

Informacione konfidenciale për borxhe dhe para të marra me fajde ka shumë në Shqipëri, një aktivitet që gjendet rëndom mes personave me precedent kriminalë.

Fajdet duket se shkojnë paralel me krimin. Histori dhe dyshime për borxhe ka edhe në dosjen e vrasjes së biznesmenit Rruzhdi Hoxha. Me 24 tetor të vitit 2021 në komisariatin e Policise nr 5. Tiranë ka shkuar për të bërë kallëzim Saimir Hoxha, djali i madh i shtetasit Ruzhdi Hoxha. Babai i tij ishte larguar nga shtëpia katër ditë më parë.

Ai ka deklaruar se i ati kishte dalë pas telefonatës me një person që e kishte marrë me makinë pranë banesës së familjes Hoxha.
Samiri ka vënë re që babai i tij po vonohej dhe se nuk po vinte në shtëpi. I shqetësuar ai e ka telefonuar, por telefoni kishte dalë i fikur. Pas kësaj situate Samiri së bashku me të afërm dhe shokët e tij kanë kërkuar nëpër hotele ose adresa të tjera të cilat mendonin se mund ti frekuentonte Rruzhdi Hoxha, por nuk kanë mundur gjetjen e tij.

Ai ka treguar se babai i tij bënte nje jetë të shthurur pasi ishte përdorues i kokainës. Ai është pyetur nga ana e oficerëve të Policisë Gjyqësore nëse babai i tij ka pasur ndonjë konflikt ose borxhe dhe ai ka sqaruar se babai i tij nuk ka pasur konflikte dhe se borxhet ja kishte paguar para tre vitesh.Pra biznesmeni duket se kishte një histori të njohur me borxhet.

Samir Hoxha ka sqaruar se pas humbjes së babait të tij ka takuar disa persona lidhje shoqërore të Rruzhdiut. Ai e ka pyetur personin me të cilin fillimisht doli babai, i cili i tregoi se kishin lënë takim me shtetasin Fredi Rrushi. Një personazh ky i njohur për aktivitetin në trafikun e narkotikëve. Samir Hoxha ka telefonuar Fredi Rrushin i cili kishte një alibi. ‘Babain tënd me datë 21.10.2021 e kam lënë në mesnatë tek treshi në stacion të autobuzit’, dhe sipas tij do të vinte dhe do ta merrte një gocë, shoqe e tij.

Por, të dhënat e zbuluara nga grupi hetimor zbuluan se Rrushi fshihte diçka. Nga kqyrja e pamjeve filmike në datën 22 tetor 2022 rezulton se pasi kanë zbritur nga automjeti shtetasit Kledjon Isufi dhe Ajet Fejzo, automjeti me drejtues Fredi Rrushin dhe pasagjer Rruzhdi Hoxhën ka vijuar rrugën në drejtim të vendit të quajtur ‘Ura e Babrroit’ dhe më pas drejt Freskut.

Top Channel