Kirgistani ka ndaluar aplikacionin TikTok në territorin e tij teksa shërbimet e sigurisë së vendit të Azisë qendrore kanë ngritur shqetësime mbi influencën e tij te fëmijët.
Por megjithëse disa përdorues në kryeqytetin Bishkek e mirëpritën masën, të tjerë si Aku Sharsheeva thanë se vendi ish-sovjetik duket se po kufizon lirinë e shprehjes.
“Në TikTok ti mund të shprehje pikëpamjet e tua, dhe duket se shteti nuk preferon që opinione alernative të qarkullojnë lirshëm në internet,” thotë ajo.
Aplikacioni në zotërim të grupit kinez ByteDance, është përballur me disa masa nga rregullatorët e vendeve për çështjen e sigurisë online të fëmijëve dhe për mbledhjen e paligjshme të të dhënave personale.
Në studion e saj të fotografisë në kryeqytet, Aku Sharsheeva, përpiqej pa sukses të lidhej me TikTok kësaj jave.
“Nuk mund të postosh asgjë, nuk ka video,” thotë 22-vjeçarja për rrjetin AFP, duke treguar ekranin me simbolin ‘error’.
Sharsheeva përdorte TikTok për punën e saj me fotografitë, ndërsa tani i duhet të gjejë një mënyrë tjetër.
Janë disa shtetet që kanë paditur TikTok për çështje si shëndeti mendor i fëmijëve apo të dhënat personale që mbledh nga përdoruesit.
Azamat Asanov, zyrtar në ministrinë e cështjeve dixitale në Kirgizstan tha se vendimi erdhi prej shërbimeve të sigurisë, por shumë dyshonin në këtë arsyetim.
“Mbyllja e TikTok është absurde. Përmbajtjet e dëmshme për fëmijët mund t’i gjej kudo, në të gjitha rrjetet sociale, ata po e bllokojnë për të kontrolluar lirinë e shprehjes”, tha Sharsheeva.
Kirgistani ka nisur një fushatë të ashpër të kontrollit ndaj mediave të pavarura e shoqërisë civile muajt e fundit.
Autoritetet raportohet se kanë arrestuar disa gazetarë dhe ndaluar rrjetet të pavarura informacioni duke i etiketuar si “agjentë të huaj”.
Sharsheeva shtonte se bllokimi i aplikacionit tregon për drejtimin shqetësues që po merr politika në vendin ish-sovjetik.
“Ka shumë presion ndaj aktivistëve, gazetarëve në media të ndryshme, ndërsa në Tik Tok mund të shprehje më lirshëm pikëpamjet e tua”, shton ajo per AFP.
Top Channel