SHBA vendos sanksione të reja ndaj programit të dronëve të Iranit! Izraeli planifikon përgjigjien ndaj sulmit iranian

18/04/2024 16:23

Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione të reja të enjten ndaj 16 personave dhe dy entiteteve të lidhura me programin e dronëve të Iranit, ndërsa synon të ndëshkojë Teheranin për sulmin e fundjavës së kaluar ndaj Izraelit.

Sanksionet janë vendosur ndaj një prodhuesi motorësh që furnizon dronët Shahad-131 të Iranit të cilët u përdorën në sulm ndaj Izraelit si dhe kompanitë që u shërbejnë motorëve apo individëve të lidhur me ofrimin e dronëve për forcat proxy iraniane në të gjithë Lindjen e Mesme.
DASH tha gjithashtu se po ndëshkonte edhe 5 kompani të lidhura me industrinë e çelikut të Iranit dhe tre degë të jë prodhuesi iranian të automjeteve.

Sanksionet e reja, të cilat u koordinuan me aleatët evropianë, janë një përpjekje për të ndërprerë furnizimet e programit të raketave dhe dronëve të Iranit dhe për të izoluar vendin në skenën globale.

Por ato janë gjithashtu një sinjal për Izraelin nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tij kryesorë se kundërvënia ndaj agresionit të fundit të Iranit nuk kërkon domosdoshmërisht një përgjigje ushtarake. Nëpërmjet një deklarate të dhënë bashkë me shpalljen e sanksioneve, presidenti amerikan Joe Biden tha se SHBA nuk do hezitojë të përcaktojë Iranin si përgjegjës.

“Le të jetë e qartë për të gjithë ata që mundësojnë ose mbështesin sulmet e Iranit: Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj sigurisë së Izraelit. Ne jemi të përkushtuar ndaj sigurisë së personelit dhe partnerëve tanë në rajon. Dhe ne nuk do të hezitojmë të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për t’ju mbajtur përgjegjës”– tha Biden.

“Ne po përdorim mjetet ekonomike të Thesarit për të degraduar dhe prishur aspektet kryesore të aktivitetit keqdashës të Iranit, duke përfshirë programin e tij (ajror pa pilot) dhe të ardhurat që gjeneron regjimi për të mbështetur terrorizmin e tij”, tha Sekretarja e Thesarit, Janet Yellen. “Ne do të vazhdojmë të vendosim autoritetin tonë të sanksioneve për t’iu kundërvënë Iranit me veprime të mëtejshme në ditët dhe javët në vijim.”

Gjatë fundjavës, Irani lëshoi më shumë se 300 raketa dhe drone drejt Izraelit në një sulm hakmarrës për një sulm ajror izraelit në një konsullatë iraniane në Damask që vrau zyrtarë të lartë ushtarakë iranianë. Izraeli, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara dhe vendeve të tjera të rajonit, ndaloi pjesën më të madhe të dronëve dhe raketave.

Biden dhe udhëheqës të tjerë i kanë bërë thirrje Izraelit të ushtrojë përmbajtje pas sulmit të fundjavës, duke shpresuar për të parandaluar një konflikt më të gjerë rajonal. SHBA dhe vende të tjera kanë thënë se përgjimi i suksesshëm i breshërisë iraniane ishte demonstrim i gjerë i epërsisë ushtarake të Izraelit.

Izraeli, megjithatë, nuk ka thënë ende se si do të përgjigjet. Kabineti i luftës i vendit është mbledhur në mënyrë periodike këtë javë pa njoftuar ndonjë veprim përfundimtar.

Në një telefonatë të shtunën në mbrëmje, Biden i tha kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu se SHBA nuk do të merrte pjesë në aksionin sulmues kundër Iranit. Në vend të kësaj, Shtëpia e Bardhë ka qenë e qartë se synon të ndërmarrë veprime ekonomike kundër Teheranit si ndëshkim për sulmin e paprecedentë ndaj Izraelit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA