Mos kaloni në Serbi! Bllokon 300 shtetas të Kosovës në kufi me Kroacinë, 4 të arrestuar. Qytetarët mbeten pa ushqime dhe ilaçe

17/04/2024 17:18

Rreth 25 autobusë me targa dhe udhëtarë shtetas të Kosovës janë bllokuar në Serbi.

Autoritetet kufitare serbe në kufijtë mes Serbisë dhe Kroacisë në Batrovc dhe Horgosh që nga mesnata nuk lejojnë të kalojnë këta autobusë. Që nga ajo kohë, qytetarët po ashtu kanë mbetur edhe pa ushqime e medikamente. Fëmijët po ashtu kanë nevojë për përkujdesje.

Ndërkohë, mësohet se udhëtarët janë duke u intervistuar nga autoritetet serbe, mbi atë se kush janë, ku shkojnë, çfarë po bëjnë?! Sipas asaj që tregojnë qytetarët që kanë mbetur të bllokuar, arsyeja e ndalimit isht “ka urdhër nga lartë”, referuar Beogradit.

Siç ka njoftuar sekretari i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Fatmir Haxholli kjo është në shenjë hakmarrjeje pas votës pro nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës.

“Në hakmarrje dhe nervozizëm absurd ndaj votimit të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, për anëtarsimin e Republikës së Kosovës në këtë institucion ndërkombëtar, autoritetet kufitare të Serbisë, në pikëkalimin ‘Batrovci’, Serbi – Kroaci, nga mesnata po i mbajnë të bllokuar së paku katër autobus me targa dhe udhëtarë, qytetarë të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e Haxhollit.

Qytetarëve po ashtu autoritetet e Serbisë ua kanë marrë pasaportat dhe dokumentacionet e udhëtimit që është shkelje  e marrëveshjeve të Brukselit.

Ndërkohë, Jeton Zulfaj nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, njofton se përpos intervistimit ka edhe arrestime.

“Putini i vogël në Beograd nuk mund ta përballojë suksesin e Kosovës. Pas votimit të suksesshëm të djeshëm në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, ka nisur arrestime masive në pikat kufitare, duke ndaluar qindra qytetarë të Kosovës, duke përfshirë edhe zëvendësdrejtorin e Policisë së Kosovës, Dejan Jankoviq (i cili është nga komuniteti serb). Të gjithë po mbahen peng, mes tyre dhjetëra fëmijë, pa u siguruar ushqim dhe mjekim. Kjo është shkelje e hapur e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes në Procesin e Berlinit midis gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe përpjekje për të përshkallëzuar tensionet”, thotë Zulfaj.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Punëve të Brendshme u kanë kërkuar qytetarëve të shmangin kalimin nëpër Serbi në këtë situatë të tensionuar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA