Mashtruesi masiv që vodhi $175 mln duke manipuluar të moshuarit, dënohet 10 vjet burg në SHBA (fotot)

16/04/2024 18:18

Kanadezi Patrice Runner, 57 vjeç, është shpallur fajtor në qershor për raste të shumta vjedhjeje me manipulim nga miliona amerikanë të moshuar e të dobët.

Grabitësi i pashpirt i më shumë se 175 milionë dollarëve vepronte me atë që është quajtur “skemë masive psikologjike e mashtrimit postar”.

Runner, i cili ka qytetari kanadez e franceze, u dënua për mashtrim bankar e postar dhe pastrim parash.

Dje një gjykatës i New York dha dënimin me 10 vjet burg, që zyrtarët në SHBA kërkonin prej vitit 2014, shkruan e përditshmja britanike The Guardian.

“Stili ekstravagant i jetesës së Patrice Runner, i fituar duke abuzuar me miliona amerikanë të moshuar ose të dobët, ka marrë fund tashmë”, tha zyrtari postave amerikane Chris Nielsen, pas dhënies së dënimit.

Mes shumë stileve të mashtrimit ndaj njerëzve naivë e të dobët, Runner dërgonte letra për miliona njerëz, duke i personalizuar ato dhe shkruar me stil ‘shkrim dore’, duke u premtuar marrësve “një mundësi për të arritur lumturi e pasuri të madhe me anë të një parashikuesi psikik”, thonë prokurorët.

Marrësit e letrave nxiteshin të dërgonin një shumë fillestare për ‘kompaninë’ e Runner e cila me anë të fallxhorit të saj garantonte ‘lumturinë dhe pasurinë e aplikantëve’.

Ai blinte të dhënat personale dhe vendin e lindjes së viktimave nga ndërmjetës të dhënash dhe i bindte viktimat për aftësitë e tij psikike duke i nxitur të bënin të tjera pagesa.

Atyre u kërkohej gjithashtu të dërgonin objekte personale si flokë, foto të dorës apo të fytyrës, në mënyrë që të realizoheshin “shërbesat e personalizuara dhe shërbimet astrologjike”, sipas padisë, shkruan The Guardian.

Runner thotë se nuk ka shkelur ligjin me biznesin e tij, madje argumentonte se njerëzit mund të merrnin paratë mbrapsht nëse nuk ishin të kënaqur.

Por ai është shpallur më parë fajtor për mashtrim në Kanada kur reklamonte në mënyrë të rreme shërbimet fallxhori në 1991, i cili ‘mund të parashikonte numrat e lotarisë’, ndërsa në një tjetër rast për mashtrim me produkte të rreme dobësimi.

Në një intervistë nga burgu i New York, Runner ka thënë se suksesi i tij ishte në aftësinë e tërheqjes së vëmendjes së miliona njerëzve që, “për disa minuta … dërgojnë çekun për të blerë një produkt, te adresa e një kompanie që nuk ia kanë dëgjuar kurrë emrin”.

Në gjykatë u tha se letrat printoheshin në Canada dhe më pas transportoheshin në New York, ku dërgoheshin në tufa të mëdha. Mashtruesi besohet se ka dërguar 56 milionë letra në dy dekada nga 1994 deri në 2014, duke fituar rreth 175 milionë dollarë nga  rreth 1.5 milionë njerëz naivë në Kanada e SHBA.

“Vitet me më shumë fitim të biznesit fiktiv [Maria] Duval ishin 2005 deri në 2010,” tregonte Runner për rrjetin Walrus, duke përmendur se ka arritur të fitonte deri në $23milionë në një vit.

Autoritetet nisën të hetonin mashtrimin e tij në 2014 dhe ia mbyllën veprimet dy vjet më vonë. Në dhjetor 2020, pas disa negocjatave të zgjatura Runner u arrestua Ibiza dhe u dërgua në New York.

Katër njerez të tjerë të lidhur me të kanë pranuar akuzat. “Kam jetuar si një artist i famshëm, por nuk tregova kujdes, medova se biznesi i letrave do të ishte përgjithmonë,” raportohet se ka pranuar mashtruesi. /TheGuardian/

FOTO GALERI
3/5
Ai blinte të dhënat personale dhe vendin e lindjes së viktimave nga ndërmjetës të dhënash dhe i bindte viktimat për aftësitë e tij psikike

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA