Tramvaji ‘inteligjent’ përplas turmën e kalimtarëve duke zënë gruan poshtë rrotave në Shën Petersburg (fotot)

15/04/2024 15:33

Kamerat e sigurisë kanë regjistruar dje momentin e tmerrit kur një tramvaj që supozohej të funksiononte me ‘Inteligjencë Artificiale’ ka goditur një tufë kalimtarësh pas një problemi te papritur me frenat.

Disa njerëz u plagosën në incidentin e frikshëm në qytetin rus Shën Petersburg, teksa një grua shihet që mbetet e bllokuar poshtë tramvajit.

Tramvaji luksoz i stilit “retro” ishte pajisur me inteligjencë artificiale dhe po bënte testimet me shofer, para fushatës së ‘revolucionit teknologjik’ që promovon dhe qeveria ruse.

Por sipas shoferit me eksperiencë të mjetit, sistemi i inteligjencës papritur “u fik” dhe frenat dështuan, duke detyruar atë të aplikonte frenat e emergjencës.

Ai tha se frenat e mjetit ishin kontrolluar para nisjes së testimit dhe nuk kishin dhënë asnjë problem.

Shoferi 45-vjeçar shtonte se nuk kishte pasur asnjë aksident më parë dhe se kishte kaluar testet mjekësore.

“Frenat dështuan kur drejtuesi vërejti makinat që i shmangeshin dhe tentoi të reduktonte shpejtësinë”, thuhej në njoftimin e rrjetit vendas Fontanka.

“Kur kuptoi se frenat ishin inefektive shoferi aplikoi frenat e emergjencës, të cilat sipas tij dhe ato nuk funksiononin plotësisht”.

“Tramvaji nisi të ngadalësonte shpejtësinë por jo mjaftueshëm dhe semafori u ndez në të kuqe. Këmbësorët nisën të kalonin dhe shoferi ra borisë së alarmit.

Mjeti quajtur “Smart Tram” është pajisur me inteligjencë artificiale ruse por ende nuk ka shpjegime përse u ndalua papritur.

“Dështimi i testit të tramvajit pa shofer është një goditje e rëndë për kompaninë e inteligjencës artificiale dhe fushatën e qeverisë për mjetet pa pilot”, shkruante rrjeti vendas Babr.Media.

Tramvajët e rinj inteligjentë janë stiluar sipas modeleve të vjetra sovjetike teksa rreth 76 cope po prodhohen për Shën Petersburg.

Ata prodhohen nga grupi rus UralTransMash, gjithashtu prodhues armatimesh të rënda ushtarake.

Gjithashtu një hetim kriminal ka nisur mbi incidentin për “shkelje të rregullave të trafikut dhe rregullave të transportit publik” thuhej më tej, sipas rrjetit The Sun.

FOTO GALERI
2/5
Por sipas shoferi t të vjetër të mjetit, sistemi i inteligjencës papritur "u fik" dhe frenat dështuan, duke detyruar atë të aplikonte frenat e emergjencës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA