Ekskluzive/ Operatorë turistikë shqiptarë dhe punonjës të Ministrisë së Turizmit bllokohen në Izrael, anulohet fluturimi për shkak të sulmit nga Irani

14/04/2024 12:06

Disa operatorë turistikë dhe punonjës të Ministrisë së Turizmit nga Shqipëria kanë mbetur të bllokuar në Izrael mëson ekskluzivisht Top Channel.

Përveç rezidentëve shqiptarë që jetojnë në Izrael, rrezikun po e ndjejnë edhe disa sipërmarrës shqiptarë që kishin shkuar për vizitë të përkohshme. Një ditë para sulmit të befasishëm nga Irani ata morën pjesë në një aktivitet turistik ‘Albania all senses” me ftesë të ambasadores shqiptare Meri Kumbe në bashkëpunim me autoritetet izraelite ku ishin të pranishëm edhe operatorë turistikë izraelitë. Një udhëtim i cili ishte planifikuar të zgjaste rreth pesë ditë por që sulmi i raketave prishi planin e tyre.

Në datë 11 prill ata fluturuan nga Tirana drejt Tel Avivit, për t’u rikthyer në Shqipëri këtë të diel. Por orari i nisjes në 5 të mëngjesit nga aeroporti u anulua dhe tashmë 8 shqiptarët janë të detyruar të presin hapjen e fluturimeve. Burime pranë Top Channel bëjnë me dije se kompanitë ajrore nuk marrin përsipër fluturimet në këtë situatë dhe shpresat i kanë te data 19 prill, ku mendohet të organizohet një charter për ta drejt Qipros.

Ky informacion konfirmohet për Top Channel nga Unioni Turistik Shqiptar. Menjëherë të ftuarit shqiptarë nga Izraeli janë marr në sigurinë e autoriteteve vendase dhe po strehohen në kryeqytetin izraelit  në një strukturë akomoduese të sigurt që ndodhet në një zonë pranë me ambasadën amerikane, në hotelin Kempinski në Tel Aviv.

Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme njofton se është në komunikim të pandërprerë me të gjithë shtetasit shqiptarë që ndodhen në Izrael, me qëndrim të përkohshëm apo të përhershëm. Teksa ministri Igli Hasani ka reaguar përmes një postimi në platformën  “X” për sulmin e Iranit ndaj Izraelit duke e dënuar aktin dhe shpreh bindjen se kjo do sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim të madh për Lindjen e Mesme.

“Shqipëria dënon ashpër sulmin e Iranit ndaj Izraelit. Ky përshkallëzim është një kërcënim i rëndë për sigurinë e Izraelit dhe të gjithë rajonit. Ajo rrezikon të sjellë paqëndrueshmëri dhe shkatërrim më të madh në të gjithë Lindjen e Mesme. Shqiptarët në rajon këshillohen të ndjekin udhëzimet e autoriteteve lokale për përditësimet e sigurisë publike dhe të kontaktojnë ambasadat tona për ndihmë”, shkruan ministri Hasani. /Gazetarja Kristi Gongo

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA