Këngëtarja koreano-jugore e muzikës rinore K-Pop (korean pop) Park Bo Ram është gjetur e vdekur në shtëpinë e një shoqeje të saj, duke u bërë artistja e radhës koreane qe humb jetën papritur në moshë të re.
Policia tha se Park ishte me dy shoqe në shtëpinë e një mikeje në kryeqytetin Seul, kur humbi ndjenjat nga një atak kardiak vrasës.
Ajo u dërgua në spital rreth orës 11.17 të mbrëmjes por nuk arriti të mbijetonte, tha policia vendase, duke shtuar se një hetim është hapur për vdekjen e saj.
Rrjeti vendas AllKPop, tha se policia e Namyangju shkruante në raportin e ngjarjes së këngëtarja ishte me mikeshat e saj kur kishte kërkuar ndjesë për të shkuar në tualet, por nuk u kthye më kurrë prej andej.
Ajo u gjet pa ndjenja e përkulur mbi lavaman, njoftonte raportimi teksa shtonte se mikeshat i kishin dhënë ndihmë të shpejtë para se të vinte ambulanca.
Kompania muzikore e Park, XANADU njoftonte vdekjen e papritur të së resë.
“Ndajmë lajmin e dhimbshëm të vdekjes së papritur të Park Bo Ram mbrëmjen e 11 prillit. Të gjithë artistët mbajnë zi për të ndjerën. Akoma më e trishtë është të japësh këtë lajm për fansat që e mbështesnin Park Bo Ram”, thuhej në deklaratë.
Park ishte bërë e famshme që kur mori pjesë në programin e talenteve ‘Superstar K2’ në 2010, dhe 4 vjet më vonë publikoi këngën e saj të parë ‘Beautiful’, që u rendit e 19-ta në vend.
Park nuk është këngëtarja e parë koreano-jugore që vdes papritur vitet e fundit.
Vitin e kaluar këngëtari 25-vjeçar Moonbin u gjet i vdekur në apartamentin e tij. Vdekja e tij mori shkakun zyrtar si ‘vetëvrasje’.
Choi Sung-bong – e cila ishte 33 vjeç – vdiq në 2023 edhe ajo në dukje nga një vetëvrasje.
Ndërsa në vitin 2019, tre këngëtarë të rinj të muzikës K-pop kishin ndërruar jetë papritur, shkruan rrjeti Daily Mail.
Top Channel