Pesë kamionë ushtarakë në vlerën e rreth tre milionë euro mbërritën në Prishtinë si mbështetje nga Gjermania.
Ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, deklaroi se kjo ndihmë do të ndikojë në ngritjen e kapaciteteve logjistike dhe operacionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
“Donacioni prej 2.7 milionë eurosh që morëm sot vjen në vazhdën e donacioneve prej 3.5 milionë eurove që kemi marrë vitin e kaluar nga Republika Federale e Gjermanisë. Gjermania ka luajtur rol të “jashtëzakonshëm” në rritjen e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Mbështetja me automjete ushtarake për forcën është vetëm njëra nga fushat ku Berlini po kontribuon ndjeshëm për sigurinë e vendit tonë”, tha Ejup Maqedonci.
Përveç pesë kamionëve donacion, Kosova do të blejë edhe 10 kamionë të tillë ushtarakë gjermanë me fonde nga buxheti i saj, sic pohoi ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde.
“Dua ta theksoj edhe sot se marrëdhëniet mes Gjermanisë dhe Kosovës janë të shkëlqyera… bashkëpunimi me FSK-në po bëhet çdo herë e më i ngushtë, posaçërisht në fushën e sigurisë”, tha Jorn Rohde.
Kamionët ushtarakë HX3, sipas kompanisë gjermane që i prodhon Rheinmetall, shërbejnë për të kryer operacione taktike dhe logjistike në kushte sfiduese dhe në terrene të vështira. Kosova i ka shtuar këtë vit përpjekjet për të blerë armatime dhe pajisje të tjera kushtarake. Në muajin janar, Departamenti amerikan i Shtetit pohoi se Prishtina kishte bërë kërkesë për të blerë raketa Javelin në vlerë prej 75 milionë dollarësh. Të gjitha këto lëvizje vijnë në një kohë shtimi të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, ndërsa muajin që shkoi, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e Beogradin se kishte dërguar ushtrinë në kufi.
Top Channel