Fiks Fare/ Policët dhe të “fortët” zaptojnë godinat dhe oborret e çerdheve dhe kopshteve në Lushnjë

10/04/2024 20:41

Fiks Fare denoncoi mbrëmjen e së mërkurës zaptimin e kopshteve dhe çerdheve në qytetin e Lushnjës nga ish-policët dhe të “fortët”.

Në redaksinë e emisionit investigativ mbërritën informacione se disa godina dhe oborre të kopshteve dhe çerdheve në qytetin e Lushnjës janë zaptuar.

“Një çerdhe dhe një kopsht shtetëror në Lushnjë janë zaptuar. Brenda kopshtit nr.2 në Lushnjë ka një bahçe me portokalle, kopshti është uzurpuar nga një ish polic. Aty ai ka bërë edhe 1 shtëpi pa leje. Ndërkohë te çerdhja përballë shkollës ‘Kongresi i Lushnjës’ jeton një i fortë dhe e ka zaptuar. I gjithë komuniteti i Lushnjës është i shqetësuar për këtë që po ndodh” – shkruante qytetari.

Pas kësaj ankese, grupi i Fiksit udhëtoi në Lushnjë, për të parë se ku ishin zaptuar këto prona. Fillimisht, shkuan në lagjen “Loni Dhamo”, ku është një ish – çerdhe e ndërtuar para vitit ’90. Është një godinë dy katëshe, ku tashmë jetojnë familjarë. Godina është përballë shkollës “Kongresi i Lushnjës”. Disa metra më larg, është një tjetër godinë dykatëshe në lagjen ‘Skënder Libohova”. Edhe kjo godinë është uzurpuar nga familjarët. “E kemi privatizuar se ka qenë prona jonë. Pas privatizimit kemi marrë secili pjesën që na takon” thotë një banor.

Fiksi shkoi edhe te kopshti nr.2, në lagjen “Çlirimi”, te adresa që na dërgoi denoncuesi se ishte zaptuar. 3 nga 4 anët e oborrit ishin private. Madje është bërë edhe një bahçe në murin e kopshtit. Gjithashtu edhe një shtëpi 1-katëshe. Gazetarët biseduan me dy nga edukatoret e kopshtit nr.2 në Lushnjë. Njëra thotë se ajo ka qenë në kopsht në atë godinë dhe i gjithë ka qenë çliruar. I kanë zënë disa vite më parë. “Fëmijët s’kanë ku dalin, tani po zaptojnë gjithçka. Fëmijët duan liri” thotë një edukatore Një tjetër thotë se rrethimi është bërë pas viteve 2000 dhe ka ardhur deri në murin e kopshtit. Klasat e kateve të para dhe menza mbrapa s’hapin dot dritaret se dalin në oborrin e familjes. “Jemi bërë si Burgu Spaçit” pohon ajo.

Fiksi bisedoi edhe me z. Muharrem Sharka, drejtor i Kopshteve dhe Çerdheve në Lushnjë. Ai pranon se oborri i Kopshtit Nr.2 është zaptuar nga 3 anët, teksa shton se ka ndodhur kur shteti nuk funksiononte. “Atëherë kanë vepruar dhe tani jemi në këtë situatë. Kemi tentuar disa herë, por s’kemi arritur”, thotë Muharremi. “Nuk kam dijeni nëse është legalizuar apo certifikuar. Kemi në plan ta rikonstruktojmë së shpejti se edhe ka nevojë dhe do të shohim të gjitha mundësitë ta çlirojmë”, vijon ai.

Fiksi e pyet edhe për adresat e tjera, ndërsa thotë se po është e vërtetë dhe se janë zaptuar. “Kemi nevojë edhe për 1 kopsht dhe 1 çerdhe në Lushnjë. Po shohim mundësitë të çlirojmë një nga këto të zaptuarat” thotë ai. Ndërkohë, na thotë se ka çliruar një çerdhe në Lushnjë. Grupi i Fiksit shkon bashkë me drejtorin te çerdhja e çliruar. Në atë vend janë dy godina ngjitur me njëra-tjetrën. Godina e çerdhes është çliruar, ndërsa ajo e kopshtit ende jo. “Kemi në plan edhe ta çlirojmë këtë, na duhet një kopsht” përfundon ai.

FOTO GALERI
5/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA