NATO mbush 75 vjeç, “kremtohet” me samit dy ditor- fokusi tek Ukraina!

04/04/2024 10:00

NATO-ja kremton sot 75-vjetorin e krijimit me ceremoni të ndryshe në selinë qendrore të aleancës në Bruksel, si dhe në vende të tjera në kryeqytetin belg.

Ministrat e jashtëm të aleancës 32 anëtarëshe janë mbledhur gjithashtu atje për dy ditë, takim ky që vjen gati saktësisht tre muaj para një samiti vendimtar të NATO-s në Uashington D.C në korrik. Janë disa sfidat me të cilat përballet organizata e madhe ushtarake, përfshirë edhe se kush do të zëvendësojë sekretarin e Përgjithshëm të saj Jens Stoltenberg, i cili do të largohet në fund të këtij viti pas një dekade në krye të NATO-s.

Fokusi kryesor megjithatë, mbetet Ukrainë. Fakti që ndihma amerikane për vendin e përballur prej mbi dy vjetësh me agresionin rus ka ngecur në Kongres, i shtyn miqtë europianë të bëjnë përpjekje për t’i dhënë çfarëdo ndihme që kanë mundësi partnerëve të vet të mangët në armatim, në mesin e shqetësimeve mbi një ofensivë të re ruse në muajt në vijim, e cila mund t’i thyejë vijat mbrojtëse të Ukrainës. Stoltenberg propozoi krijimin e një fondi me vlerë 100 miliardë euro për Kievin për një periudhë 5-vjeçare. Propozimi i shefit të aleancës i kërkon anëtarëve të garantojnë furnizime afatgjata me armë për Ukrainë, teksa NATO diskuton gjithashtu mundësinë që një mision i saj të marrë më shumë kontroll mbi koordinimin e furnizimit me armë të Kievit nga një grup i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara që e bën aktualisht.

“Shtetet e Bashkuara janë aleati më i madh dhe po ofrojnë mbështetjen më të madhe ushtarake. Fakti që nuk ka pasur një marrëveshje në Kongresin amerikan për vazhdimin e mbështetjes ushtarake për Ukrainën, ka pasoja”, tha Stoltenberg.

Plani i sugjeruar nga Stoltenberg, i cili u mbështet nga nga anëtarët më të vendosur pro Ukrainës si Polonia dhe shtetet baltike, mund të ndryshojë deri në takimin e nivelit të lartë të NATO-s që do të mbahet në korrik.

Takimi dy ditor do të përqendrohet edhe në rritjen e kapaciteteve mbrojtëse europiane, në mesin e frikës se nëse Donald Trump rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, ai mund ta bëjë realitet zotimin për ta kushtëzuar përkrahjen amerikane për NATO-n me rritjen e shpenzimeve buxhetore të mbrojtjes nga vendet europiane.

Top Channel