Nga letra drejtuar Papës dhe zhdukja e bibliotekës/ Çfarë fshihet për Himarën dhe himariotët? Dëshmi dhe dokumente në “Gjurmë Shqiptare”

31/03/2024 10:06

Destinacioni i Gjurmë Shqiptare ishte Himara këtë javë.

Shumë histori ruhen në këto rrugica të gurta…Po ngjitemi në kalldrëmet e Himarës, drejt kështjellës së saj, vendit, ku dikur organizohej gjithçka…

Këtu ishin shtëpitë e para, u zhvilluan beteja të ashpra, u shkruan letra, u dërguan thirrje, u ndërtua bërthama e një prej vendbanimeve më të hershme e historike në zonën e bregdetit. Këtu ikën e erdhën të dërguar të fuqive të ndryshme, zbarkuan figura si Gjon Kastrioti, djali i Skënderbeut… Himara, ngërthen në vete, dëshmitë e një kohe të gjate ku historia në vazhdimësi ka marrë kthesa të forta…

Shumë të dhena, janë ruajtur në këtë vend, një pjesë, diku kthinave, si formë ndoshta… që drita të mos i rrahë mjaftueshëm… dhe një prej tyre është padyshim, koha, kur në Himarë e të gjithë bregun, u hapën shkollat e para. Nuk janë shkolla të thjeshta, sepse u ngritën të paktën 400 vjet më parë. Rryma të caktuara, nuk duan, që kjo histori të rrëfehet sepse të vërtetat e saj, shqetësojnë jo pak, thekson gazetari Marin Mema.

Edhe pse shpesh fshihen dokumentet për këtë zonë nuk mungojnë. Si u hapën shkollat e para shqip në Himarë, Dhërmi e me radhë që prej viteve 1600, madje edhe më herët. Çfarë ndodhi me to? Kush ka dorë në zhdukjen e shumë bibliotekave në këto anë?

Burime të shumta e përshkruajnë Himarën, si një krahinë të ashpër, e të vështirë për t’u nënshtruar. Ajo përbëhej nga më shumë se 50 fshatra siç e përshkruajnë dokumentet e shumta. Në vazhdimësi këtu organizoheshin kryengritje të mëdha, nga ato të Gjon Kastriotit, birit të Skënderbeut dhe bashkëluftëtarit të tij të afërt Krokodil Kladha, që e ngritën të gjithë krahinën në këmbë, në vitin 1481.

“Kjo është kisha e Shën Sergjit dhe Bakut. Këtu në hyrje, edhe pse me vështirësi, për shkak të dëmtimeve të kohës, por jo vetëm, dallohen dy shqiponja, të cilat sipas studiuesve, sipas studiuesve që lidhen me Kastriotët. Në fakt himariotët për një kohë të gjatë e konsideronin veten pasues të Skënderbeut, thotë Marin Mema.

Dhe kryengritja e Gjon Kastriotit, nuk ishte e vetmja, edhe në 1492, Himara dhe e gjithë Labëria, mëse 70 fshatra, organizuan një tjetër të tillë. Dokumentet e vjetra, dëshmojnë për masakra të kryera, nga ushtria osmane në këto anë, si formë për të shtypur kryengrijen, çka u ripërsërit edhe në vitin 1537, kur sërish popullata e Labërisë, me Himarën si qendër të saj, ngriti krye.

Rami Memushaj: Pasi u shtypën kryengritjet e mëdha të Himares siç ishte kryengritja e 1492, edhe kryengritja e 1537 për shtypjen e të cilave erdhën vetë sulltanët, pra ishin kryengritje shumë të mëdha, Himara dhe Himara historike me këtë kuptojmë si të thuash atë që zona përfshihet nga Kudhes – Grehoti edhe deri në Delvinë, dmth Labëria e sotme ishte shkatërruar.

Pëllumb Xhufi: Në këtë kuptim përveç kryengritësve që unë përmenda që i paraprinë interesin po themi dhe dërgimin e këtyre murgjve bazilianë, në zonën e Himarës dhe deri në Peloponez jo vetëm në zonën e Himarës, ku kishte, aty ku kishte shqiptarë dhe Peloponezi ishte i mbushur në atë kohë me shqiptarë, pati dhe kërkesa që erdhën nga vetë himariotët.

Kristo Çipa: Pas vdekjes se Skënderbeut, dihet historikisht që popullatë e madhe nga zonat tona, shkuan në Itali, por edhe ata që ngelen në Himarë, kryesisht për të patur një aleat të fuqishëm, zgjodhën të kishin Vatikanin dhe Venedikun, ku shkonin si ushtarakë, në të gjitha betejat dhe ndërkohë sillnin dhe të ardhura ekonomike, për zonën që jetonte këtu në kushte të vështira.

Pellumb Xhufi: Dhe në vitin e 1577, himariotët i çojnë letrën e parë, Papa Gregorit të XIII, ku i  premtojnë që do bashkohen me kishën e Romes, por i kërkojnë që të ruajnë pikërisht ritin bizantino – ortodoks, tradicional të tyre.

Në vitin 1577 nga kjo kishë, është letra e parë, që paria e zonës, i drejton Papa Gregorit të XIII. Siç dokumentohet, letra nis me banorët e Himarës dhe zonave përreth, që theksojnë lidhjen e tyre me Skënderbeun dhe kryengritjet e vazhdueshme që  ata kanë bërë në këtë zonë.

Pellumb Xhufi : I çuan një letër Papës në vitin 1577, i çuan një të dytë në vitin 1581, pastaj në vazhdimësi, i kanë çuar letra në të cilat ata deklarohen ne jemi shqiptarë i pari jonë është mbreti Skënderbe, e quajnë edhe Skënderbeun mbret, dmth e njohin për mbret.

“Ne himariotët e Epirit, priftërinj, klerikë dhe laikë e i gjithë shteti, të gjunjëzuar me kënaqësi, nderojmë Shenjtërinë tuaj. Është e njohur për ty o At shumë i shenjtë, se qysh nga epoka e sypatremburit Skënderbe, mbretit tonë të lavdishëm, i mbiquajturi Kastriot, askush me nuk ka arritur të na vërë nën zgjedhë, edhe pse çdo ditë e çdo orë, nuk na lënë të qetë me sulme të vazhdueshme”, shkruhet në letër.

Profesori i ndjerë Dhimitër Shuteriqi, në një studim të tijin të thelluar, përmend Neofit Rodinin, si misionarin e parë që zbriti në këto brigje nga Vatikani për të themeluar atë që u njoh zyrtarisht si misioni bazilian në Himarë. Jemi në vitin 1627, kur ky murg jo shqiptar, me një eksperiencë të gjatë, përfshirë edhe në fshatrat arbëreshë të Siçilisë, zbriti në Himarë dhe fshatrat e tjerë të bregut. Është kjo periudha, kur në këtë hapësirë, dokumentohet çelja e një shkolle të parë që do të pasohej edhe nga të tjera.

Odise Çaçi : Shkollat e para janë në Himarë, në Dhërmi, në Palasë, pastaj vazhdojnë në zonën e Piqerasit, dhe në mënyrë graduale kaluan edhe në pjesën tjetër. Kur flasim pjesën tjetër në Dukat, në Kuç, edhe në krahinën e Kurveleshit, sepse Himara në atë periudhë nuk diskutohej më që ishte si qendër kryesore.

Në këtë shkollë, mësonin shumë murgj, të krahinës së Himarës e më tej. Për më tepër, sipas dokumenteve, në qendër apo në manastir, ku ishte vendosur misioni, funksiononte edhe një bibliotekë e pasur ku studionin nxënësit.

Odise Çaçi: Shkollat përgatisnin, në të ardhmen do të përgatisnin mësuesit e rinj që thoshim ne, por këta mësues ishin priftërinjtë, të cilët do të merreshin me edukimin. Një nga këta ishte Dimitrua, i cili ishte nga Dhërmiu, dhe ky thonë sipas dokumenteve arkivore të Vatikanit, thotë se kishte përgatitur një katekizëm.

Neofit Rodinoi, hapjen e shkollës në Himarë e dokumenton përmes letrës së shkruar Propagandës Fide disa vjet më pas, në 1636. Mendohet se ka qenë një e tille, ku shkolloheshin klerikë apo të rritur të tjerë, siç shkruan profesor Dhimiter Shuteriqi.

Në 28 gushtin e vitit 1637, Neofit Rodinoi, përmend mes nxënësve të tij, një prift të quajtur Dhimitër, i cili siç shkruhet në letrën dërguar drejt Romës, e zotëron në mënyrën më elegante gjuhën shqipe. Edhe më interesant është fakti, se misionari bazilian, Neofit Rodinoi, njofton Propagandën Fide në Romë, se ka marrë iniciativën, për përkthimin në gjuhën shqipe, të Doktrinës së Krishterë, e cila përmblidhej në dy fashikuj. Duket se ndihmësi dhe realizuesi i përkthimit, ka qenë sipas profesorit Shuteriqi, prifti Dhimitër. Por, dokumentet… vërtetojnë faktin, se drejtuesit e lartë në Romë, u përgjigjën, se ky përkthim në gjuhën shqipe, nuk ishte i nevojshëm, pasi një dokument i tillë, ekzistonte më parë. Për profesor Dhimtër Shuteriqit, bëhet fjalë ose për botimet e Budit të viteve 1618 dhe 1636 ose për atë të Lek Matrangës, të vitit 1592.

Por nëse meshtari Dhimitër, ndihmës dhe nxënës i klerikut të pare që themeloi misionin e bazilianëve e njihte në mënyrë kaq elegante gjuhën shqipe, siç shkruhet në dokumentet zyrtare… ku e kishte mësuar ?  A mos ndoshta ka pasur shkolla edhe më herët në zonën e bregdetit?

Odise Çaçi: Shkollat në breg ishin në selitë e kishave, në selitë e kishave, por edhe ne shtëpinë e Papa Dhimitrit në Dhermi, i cili kishte edhe librin e katekizmit, bile ky libër thonë që ka qenë deri në fillimin e luftës italo – greke. Ai e mbante si trashëgim, dmth brezat, njeri pas tjetrit, e kishin mbajtur këtë si diçka te çmuar.

Ja çfarë shkruhet ne ‘Hyllin e Dritës’,

“Manastiri i Kakomesë që gjendet mbi një shkëmb, mbi det, me fortesë përreth, për t’u mbrojtur prej piratëve, ka patur nje biblioteke si dhe njË ungjill të shkruar me dorë në membranë, ku betohen të gjithë Labërit, e veçanërisht muhamedanët. Por çfarë ishte ky ungjill dhe ku ndodhet ai sot ?

Për këtë nuk dihet asgjë… Nuk dihet se çfarë ishte ky ungjill dhe cilat ishin të dhënat që përfshiheshin në të. Padyshim këtu ka patur dokumente me shumë vlera, por mesaduket u zhdukën… dhe jo vetëm këtu.

Në qytet për një kohë jo të shkurtër ka qëndruar Arqipeshkvi i Durrësit, apo edhe Athanasi, Patriarku i Ohrit, e më tej edhe klerikë të tjerë të lartë… Kjo të bën të mendosh se ata kanë patur në Himarë, të gjitha mjetet e nevojshme për studime, përfshirë bibliotekën siç është e natyrshme në raste të tilla. Revista ‘Hylli i Drites’, 86 vjet më parë hedh hije dyshimi, mbi fatin e tyre. Ku janë zhdukur këto biblioteka që gjendeshin kryesisht pranë kishave apo manastireve të shumta në këto anë?

Në revistën ‘Hylli i Dritës’ përmendet edhe biblioteka e pasur e mësuesit të njohur në zonën e Himarës, Nikolla Burbos, me libra të shumtë në gjuhën shqipe dhe atë greke. Ky intelektual i njohur, përmendet edhe nga Eqerem Cabej për punën e tij të madhe në zonë.

 Një bibliotekë e rëndësishme ka ekzistuar deri vonë edhe në fshatin Qeparo. Ka qenë ajo e një mësuesi, patrioti të quajtur Janko Pali. Ai la Parisin, për t’ju përkushtuar detyrës së shenjtë të mësuesit në fshatin e tij.

Janko Pali në 1928, u kthye nga Parisi, në fshatin e tij Qeparo. Për më se 40 vjet, punoi në shkollat shqipe të bregdetit. Me një personalitet të jashtëzakonshëm, ai iu përkushtua dijes dhe jo pak herë për këtë arsye, u kërcënua, madje edhe burgos në 1941 nga ushtria greke. Shtëpia e Janko Palit, ishte një bibliotekë e vërtetë, ku ruheshin, sipas të dhënave të familjes, më se 15 mije libra, dokumente e të dhëna të ndryshme, një jetë e tërë kushtuar gjuhës shqipe në këto anë… por në vitin 1997, masa dërrmuese e tyre e këtyre librave u grabitën. Është e vështirë të mendosh, se ky akt ishte dorë e kriminelëve të rëndomtë…

Kristo Çipa: Koha e re që jetojmë solli shumë të vërteta historike, të cilat duhen thënë me zë të plotë, me zë të qartë dhe nuk kanë pse të fshihen. Gjuha shqipe është aktuale nuk është shuar, përderisa nuk u shua në mijëra vjeçarët dhe në perandoritë që erdhën nuk mund të shuhet tani nga disa ndikime e vogla. Ajo është gjuha jonë, historike e folur historikisht, por jo vetëm e folur por edhe e mbrojtur.

Kjo është vetëm pjesa e parë e një dokumentari që do të vijoje rrugëtimin, javën e ardhshme, me të tjera fakte të rëndësishme për historinë, traditën dhe trashëgiminë tonë. Nuk do të vendoset vetëm në Himarë, por edhe në veri të vendit, në juglindje e Shqipëri të mesme, e po kështu në Kosove e më tej, ku duket se një dorë, ka zhdukur në vazhdimësi, dokumente, vepra, biblioteka të njohura e të mëdha.

 

Top Channel