Ndihmës sekretari amerikan takohet me Ramën dhe Spiropalin, ministrja: Thellimi i bashkëpunimit mes dy vendeve mbetet prioritetet

19/03/2024 19:44

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit, Todd D. Robinson zhvilloi një takim edhe me kryeministrin Edi Rama dhe ministren e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropalin.

Ministrja zbardhi detaje nga takimi, ku thekson se thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve mbetet një nga prioritetet e qeverisë.

Spiropali shprehu mirënjohje për partneritetin, bashkëpunimin e ngushtë mes dy vendeve dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe suksesin e reformës në drejtësi.

“Takim i shkëlqyer me Ndihmës Sekretarin e Shtetit për Byronë Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Çështjeve të Zbatimit të Ligjit (INL), Todd D. Robinson. Mirënjohje për partneritetin, bashkëpunimin e ngushtë dhe angazhimin e përbashkët për forcimin e sundimit të ligjit dhe suksesin e reformës në drejtësi. Rezultatet e institucioneve të reja të drejtësisë janë një inkurajim i madh për garantimin e pakthyeshmërisë së reformës drejt kontributit për një shoqëri më të drejtë dhe më të zhvilluar. Thellimi i bashkëpunimit dhe partneritetit strategjik mes dy vendeve mbetet një nga prioritetet tona”, shkruan Spiropali.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit Todd Robinson serinë e takimeve e nisi në një takim në godinën e SPAK me kreun e Prokurorisë së Posaçme, Altin Dumani.

Ambasada amerikane tha se sekretari Todd Robinson mori pjesë në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri. Sekretari Robinson theksin e vendosi tek transparenca, si dhe dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë.

FOTO GALERI
4/6

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA