“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira”, ndihmës sekretari i SHBA takim me gjyqtarë e prokurorë: Mos u dorëzoni, ne mbështetemi te ju

19/03/2024 16:05

Pas vizitës të sekretarit amerikan të shtetit Antony Blinken, në Shqipëri ka mbërritur një tjetër zyrtar i latë i Departamentit Amerikan të Shtetit.

Ndihmës Sekretari i Shtetit për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe të Zbatimit të Ligjit, Todd Robinson, serinë e takimeve e nisi në një takim në godinën e qelqtë të SPAK me kreun e prokurorisë së posaçme, Altin Dumani.

Ambasada amerikane thotë se Sekretari Todd Robinson mori pjesë në një pritje me gjyqtarë, prokurorë, hetues shqiptarë dhe drejtues të agjencive ligj-zbatuese në Shqipëri. Sekretari Robinson theksin e vendosi tek transparenca , si dhe dhënien fund pa-ndëshkueshmërisë.

“Sot shqiptarët po bëjnë hapa të guximshëm për të nisur reforma të vështira. Dhe unë dua që të gjithë ju ta dini se unë dhe kolegët e mi në Uashington e njohim punën tuaj të palodhur. Por si çdo punë tjetër e vështirë për forcimin e demokracisë dhe rritjen e llogaridhënies, është një rrugë e gjatë dhe e vështirë. Dhe unë do t’ju nxisja, e para, të dini se po sillni ndryshim dhe, e dyta, të mos dorëzoheni, të vazhdoni”.

Në sfidën mirëfunksionimit të shtetit ligjor ku SHBA dhe BE janë insituar maksimalisht, drejtuese të organeve të drejtësisë së re, sekretari Robinson u garantoi vijimin e përkrahjes në këtë mision.

“Ne do mbështetemi te ju si partnerë në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit në Ballkanin Perëndimor… por më e rëndësishmja, qytetarët e zakonshëm shqiptarë besojnë te ju…dhe unë mund t’jua premtoj se teksa ju vazhdoni punën tuaj, qeveria e Shteteve të Bashkuara do jetë partneri juaj në këtë dhe do ecë krah jush në mbështetjen tuaj dhe të Shqipërisë.”

Top Channel