Putin “shpallet car”! Zgjedhjet në rusi pa asnjë kandidat kundërshtar. Më 18 mars Putin shpall fitoren

15/03/2024 08:40

Rusët filluan të votojnë sot në ditën e parë të zgjedhjeve presidenciale treditore, në të cilat presidenti Vladimir Putin e ka pothuajse të sigurt fitoren.

Ai do ta zgjasë sundimin e tij për edhe gjashtë vjet të tjera, pasi secili kundërshtar serioz s’u lejua të garojë kundër tij nga Kremlini, i cili po zhvillon një luftë brutale ndaj mediave të pavarura dhe mospajtuesve. Zgjedhjet, të cila nuk pritet të jenë as të lira e as të drejta, janë të parat që mbahen në Rusi prej se Putini e nisi pushtimin e shtetit fqinj, Ukrainës, në shkurt 2022. Putin, 71 vjeç, i cili ka qenë president, apo kryeministër për gati 25 vjet, po garon kundër tre politikanëve pak të njohur qëndrimet politike të të cilëve zor që dallojnë nga ato të Putinit.

Politikanet me qëndrime kundër luftës nuk u lejua të garojnë. Qendrat e para të votimit u hapën në Lindjen e Largët të Rusisë. Gjatë ditës, votuesit do t’i hedhin votat e tyre në gati 100.000 qendra votimi në 11 zona kohore të vendit, si dhe në rajonet e Ukrainës të cilat Moska i aneksoi jashtëligjshëm. Ukraina dhe qeveritë perëndimore e kanë dënuar Rusinë për mbajtjen e zgjedhjeve në rajonet ukrainase, duke i cilësuar ato të jashtëligjshme.

Meqë kundërshtarët e Putinit janë në burg, në mërgim apo të vdekur, rezultati i zgjedhjeve dihet tanimë. Në një sondazh të bërë nga VTSIOM News në fillim të marsit, 75 për qind e qytetarëve që kanë për qëllim të votojnë, thanë se votën do t’ia hedhin Putinit, ish-oficerit të inteligjencës së jashtme të KGB-së. Lufta e pamëshirshme që i ka shtypur mediat e pavarura dhe grupet për të drejtat e njeriut nisi para se Moska të fillonte pushtimin e Ukrainës në shkurt 2022, por ajo është bërë edhe më e ashpër prej atëherë.

Top Channel