Moszbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese që kërkon kalimin e 24 hektarëve tokë në pronësi të manastirit të Deçanit, ka ngjallur debate të ndezura në Kosovës, e kjo, në kohën kur në muajin prill pritet votimi i mundshëm lidhur me kërkesën e vendit për anëtarësim në Këshillin e Europës.

Iniciativa Europiane për Stabilitet (ESI) publikoi disa ditë më parë një raport, ku nënvizohej se konflikti i pronësisë mes autoriteteve të Kosovës dhe Manastirit të Deçanit përbën një nga pengesat kryesore për anetarësimin e saj në KiE. Vetë Këshilli nuk e ka pohuar zyrtarisht që zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për Manastirin e Deçanit të jetë kusht për anëtarësimin, por kjo është nënkuptuar në disa raste tashmë nga ambasadorët e vendeve të Quintit, ku bëjnë pjesë SHBA-ja, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë Jörn Rohde, në një intervistë për mediat vendase e bëri të qartë se “pa respektuar vendimet e Gjykatës, Kosova e ka të vështirë anëtarësimin në KE”. “Kosova është shtet demokratik dhe në një shtet demokratik ju keni një garantues të Kushtetutës e që është Gjykata Kushtetuese. Kjo Gjykatë ka marrë një vendim të plotfuqishëm dhe nëse doni të bëheni anëtarë të KE, vendimet duhet të respektohen”, deklaroi ambasadori.

Vendimi i gjykatës Kushtetuese është përfundimtar dhe i detyron institucionet e Kosovës në këtë rast edhe komunën e Deçanit, që 24 hektarë tokë t’i kalojnë manastirit. Por, drejtuesit e komunës së Deçanit, refuzojnë ta zbatojnë atë  dhe nuk pajtohen me vendimin, ndërsa insistojnë se pronat përreth manastirit janë të dy ndërmarrjeve publike, ndërsa Gjykata e ka fuqizuar një marrëveshje të vitit 1997, në kohën e Sllobodan Milloshevicit, kur administrata serbe i kishte kaluar në pronësi të manastirit ato toka.

Top Channel