Dialogu me Beogradin dhe dinari i ndaluar serb con këtë javë në Prishtinë të dërguarin e Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, për të diskutuar me krerët e qeverisë së Kosovës për këto cështje të kthyera në shqetësim për Perëndimin.

Njoftimi i Departamenti amerikan i Shtetit tregon se Escobar do ta vizitojë Belgjikën, Kosovën, Austrinë dhe Malin e Zi nga 10 deri më 18 mars 2024. “Vizita e tij do ta ritheksojë përkushtimin e shteteve të Bashkuara për vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilat e synojnë integrimin Euroatlantik dhe një bashkëpunim më të thellë rajonal”, nënvizohet aty.

Escobari e viziton Kosovën në një kohë kur marrëdhëniet e zyrtarëve amerikanë me Qeverinë e Kosovës duken të tensionuara për shkak të çështjes së dinarit serb, të cilin Banka Qendrore e Kosovës e ndaloi përmes një rregulloreje muajin e kaluar. Zyrtari i lartë amerikan e shprehu hapur pakënaqësinë duke deklaruar muajin që shkoi se qeveria e Kosovës nuk po e trajton SHBA-në si partnere. Shkak për këtë deklaratë të tij u bë fakti që kërkesa amerikane për çështjen e dinarit serb, sic tha ai, nuk u mor parasysh.

“Ne jemi shumë të shqetësuar se Qeveria e Kosovës nuk po na trajton si partner, ata nuk punojnë me ne për stabilitetin rajonal dhe minojnë dialogun, proces për të cilin SHBA-ja është e përkushtuar plotësisht”, deklaronte Escobar në fundin e shkurtit.

SHBA-ja ka kërkuar shtyrjen e zbatimit të këtij vendimi, duke argumentuar se ai është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative te komuniteti serb në Kosovë, që përdor valutën kombëtare të Serbisë. Departamenti i Shtetit sqaroi se përveç zyrtarëve qeveritarë, i dërguari amerikan do të takohet edhe me shoqërinë civile dhe komunitetin serb në Kosovë.

 

Top Channel