Kryeministri Edi Rama bëri ndalesën e radhës në qarkun e Dibrës, në kuadër të procesit të rienergjizimit të PS.
Ai ironizoi opozitën duke u shprehur se ata janë në Parlament falë votës së njerëzve, ndërsa në këtë të fundit vendosin të prishin seancat plenare me trazira.
Rama u shpreh se ka mbetur i zhgënjyer nga situata që ka parë në Shkodër, aty ku bëri takime një ditë më parë. Ai u ndal më së tepërmi tek stadiumi i Shkodrës.
“Besoj që ju jeni mirë të informuar që ne, në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë kemi hyrë në një proces që e kemi quajtur rienergjizim të Partisë Socialiste, i cili është një proces që synon një sërë gjërash. Së pari, synon një hapje të re të Partisë Socialiste për të mundësuar përfshirjen e shumë njerëzve të të gjitha moshave dhe pa diskutim burra, djem, gra, vajza që kanë dëshirë t’i bashkohen Partisë Socialiste, por që për shkak të mënyrës sesi ne jemi të organizuar dhe për shkak të një lloji refuzimi që fillon edhe bëhet vijë sjelljeje në këto lloj ciklesh nga një proces anëtarësimesh në një proces tjetër, e kanë pasur dhe e kanë të vështirë që të gjejnë derën dhe që dera t’ju hapet.
Pa diskutim që ne kemi të metat tona dhe as nuk vihet në dyshim që jemi larg së qeni të pagabueshëm, por ajo çka besoj mund të thuhet me plot gojën është që në të gjitha rastet ne jemi një forcë që sjell progres, diku më shumë, diku më pak. Diku me më pak gabime, diku me më shumë gabime, por progres. Ndërkohë që forcat e tjera janë forca që sjellin rrëmujë, që sjellin konfuzion dhe që e sjellin një statusquo që e degradon realitetin ku ato qeverisin në mënyrë të vazhdueshme.
Unë isha në Shkodër dhe realisht më ka lënë një mbresë shumë të keqe stadiumi i Shkodrës. Po e sjell këtu si shembull të faktit që kjo ndodh kudo dhe gjithmonë kur ata të tjerët marrin mandatin për të bërë diçka. Një stadium i ri i ndërtuar për ndeshje ndërkombëtare, sipas gjithë parametrave të UEFA-s, i cili më besoni ishte katandisur në një objekt sikur aty kishte rënë bomba dhe prej vitesh nuk kishte shkelur njeri. Asnjë përkujdesje, asnjë mirëmbajtje, asnjë vëmendje, vetëm degradim. Si stadiumi në fakt është e gjithë Shkodra e cila ka filluar hap pas hapi të marrë veten, por si stadiumi ka qenë dhe çdo bashki e Dibrës dhe këtë mund ta dëshmojë lehtësisht, të gjithë ju këtu, por dhe të gjithë qytetarët që i kanë parë të dyja fazat. Dhe nëse sot ne kemi në Dibër një panoramë krejt të ndryshme e cila materializohet hap pas hapi në shumë kantiere të mëdha apo të vogla, por përtej kantiereve materializohet dhe në një raport tjetër të qytetarëve me qeverisjen vendore, kjo vjen dhe si rezultat i përmirësimit të shëndetit të Partisë Socialiste në Dibër.
Sot mund të thuhet me plot gojën që organizata e Dibrës është nga më të shëndetshmet që kemi në Republikën e Shqipërisë dhe besoj që edhe shifrat e anëtarësimeve të reja të cilat janë mbresëlënëse, janë tregues i këtij fakti sepse në një parti siç ka qenë në momente të caktuara apo në një periudhë të caktuar partia në Dibër apo siç ka qenë dhe në zona të tjera ku sherri është dominanca e çdo përpjekjeje për tu bashkuar, ku një grup njerëzish kthehen në sundimtarë apo kthehen në pengues të frymëmarrjes së organizatës. Është një parti ku nuk kanë dëshirë të tjerët të përfshihen, kjo është shumë e thjeshtë, ndërsa një parti ku në të gjitha rastet fryma është e shëndetshme dhe energjia është pozitive, atëherë dhe të tjerët kanë dëshirë që të përfshihen.
Në këtë kuptim besoj që Dibra i ka të gjitha mundësitë për të pasur një Parti Socialiste gjithmonë e më të fortë dhe për të pasur ambicie përtej çdo hapi pozitiv për të bërë dhe një tjetër hap pozitiv dhe një tjetër hap pozitiv. Gjë që natyrisht na ndihmon shumë për të vazhduar progresin dhe punët që po bëjmë.
Anëtarësimi në BE është një proces detyrash të rënda shtëpie që nuk janë thjeshtë detyra për qeverinë, por janë detyra për të gjithë sektorët dhe për të gjitha pushtetet. Qeveria, Parlamenti, drejtësia por edhe për sektorin privat, po edhe për shoqërinë civile, se në BE nuk do hyjë qeveria, do hyjë Shqipëria dhe nëse fjala vjen, marr një shembull se këtu e kemi pasur një problem të madh dikur. Nëse Shqipëria nuk i ka thertoret sipas standardeve të Bashkimit Europian dhe certifikimet sipas të gjitha kritereve, kjo është një pengese. Po ju marr vetëm një element shumë të vogël. Prandaj po e përsëris, vitet që kemi përpara janë vite të vështira në këtë aspekt për të realizuar shumë detyra në të gjitha gradët e shikimit, 360 gradë ne duhet të përmirësojmë dhe të realizojmë gjëra, si Shqipërinë.
Ama kjo, patjetër kërkon lidership dhe lidershipi i Partisë Socialiste si forcë udhëheqëse e këtij procesi është e pa zëvendësueshme. Çdo lloj forme tjetër qeverisjeje që përfshin të tjerë në kushtet e sotme me çfarë ka sot fusha, lojtarë të vjetër e lojtarë të rinj që janë më të vjetër se të vjetrit kur i dëgjon është një kërcënim për kthimin e vendit mbrapa.
Ne besoj që kemi shumë arsye të jemi me kokën lart përpara banorëve të Dibrës, por nga ana tjetër po të shikojmë akoma se sa shumë gjëra duhen bërë, ne do ta mbajmë kokën ulur dhe do të vazhdojmë të përpiqemi edhe më shumë çdo ditë, sepse pa diskutim që krahasimi me nga ne e kemi nisur këtë punë është i gjithi në favorin tonë. Po nëse shohim se ku do ta çojmë këtë punë, duhet vetëm të ulim kokën dhe të punojmë sa më fort dhe që të kemi mundësi të punojmë sa më fort, duhet që ta kemi Partinë Socialiste në formën më optimale dhe Partia Socialiste në formën më optimale bëhet duke u bërë hapësira ku të gjithë ndihen mirë.
Sot njerëzit kanë kuptuar shumë gjëra që deri para ca kohësh ishin të vështira për t’u gëlltitur. Sot njerëzit kanë kuptuar në masë të madhe, në masë shumë më të madhe se deri disa vite më parë, që në fund të fundit kjo nuk është punë tifozllëku. Kjo është punë interesi. Interesi për progresin dhe për këtë arsye ka pasur një lëvizje jo vetëm këtu, por edhe në zona të tjera të vendit dhe kulmi i kulmit ka qenë Shkodra, të shumë njerëzve që deri dje as nuk e imagjinonin që mund të votonin për kandidatë të Partisë Socialiste drejt këtyre kandidatëve për interesin e progresit, pasi kanë provuar e stërprovuar në pafundësi, verbërisht të njëjtën gjë duke pritur rezultate të tjera dhe kanë marrë po të njëjtin rezultat, shumë njerëz kanë kuptuar që tifozllëku i verbër politik i pambështetur në fakte dhe në prova të cilat ata që marrin mbështetje duhet t’i japin përditë, është vetëm në dëmin e njerëzve të zakonshëm.
Nuk dëmtohen personalisht në asnjë formë, ma besoni dhe nuk e humbasin gjumin natën për asnjë hall të askujt ata që marin peng Parlamentin. Kanë shkuar në Parlament me votën e njerëzve dhe e marrin peng Parlamentin vetëm për interesat e tyre. Po nuk dëmtohen ata. Si gjen asgjë. Në fund kanë shumë më tepër se sa ç’kanë shumica dërrmuese e atyre që i kanë votuar.
E sjell këtë shembull për të thënë që fillimi i një ndryshimi të kahjes së mendimit në raport me “cilën parti duhet të mbështes” dhe fillimi i të parit të partive me një sy më të ftohtë se sa më përpara është diçka shumë më pozitive dhe sot është një potencial që ne duhet ta shfrytëzojmë maksimalisht dhe prandaj unë dua ta përsëris dhe atë që tha zëvendëskryeministrja, që nuk ka fare për ne rëndësi, nëse dikush ka qenë përballë nesh, kundër nesh, ka bërë kështu e ka bërë ashtu, nga pikëpamja politik flas, dhe kur ky dikush është i gatshëm që të bashkohet me ne, ne duhet ta mirëpresim krahëhapur. Mirë se të vijnë të gjithë. S’është ndasi e dhënë një herë e përgjithmonë dhe e përjetshme. Ka faza të caktuara në rrugën e përbashkët kur njerëzit mendojnë ndryshe e ka faza si kjo, kur njerëzit janë më të prirur të afrohen dhe të bashkohen për të parë njësoj, të njëjtën rrugë të çuarjes përpara të punëve. Siç janë punët në çdo komunitet, ku janë bërë gjëra, po bëhen gjëra dhe duhen bërë shumë më tepër gjëra, pra duhet të vazhdojë progresi, ashtu janë dhe punët e Shqipërisë në tërësi, ku çfarë është bërë me ekonominë, është inkurajuese, po e pamjaftueshme dhe duhet çuar përpara; çfarë është bërë me drejtësinë është inkurajuese, po e pamjaftueshme dhe duhet çuar përpara, atëherë duhet Partia Socialiste.
Si mendoni ju, nëse Partia Socialiste këtu në Dibër do ishte siç ka qenë, do ekzistonte fuqia për të bërë kaq shumë më tepër gjëra këtu se sa ç’janë bërë më përpara? Të jeni të siguritë që jo! Unë mendoj se qëkurse kam filluar ta njoh Partinë Socialiste nga brenda, në të gjithë territorin dhe e kam thënë dhe e them gjithmonë, nuk ka asnjë qendër votimi ku Partia Socialiste nuk fiton dot, nuk ekziston në Shqipëri!”, tha Rama.
Top Channel