Bologna pret Interin për llogari të javës së 28 në Serie A. Të shtunën, “armata” e drejtuar nga trajneri Thiago Motta do të tentojë fitoren e shtatë radhazi si dhe t’i ndalë zikaltërit për herë të tretë këtë sezon duke qenë se në sfidën e parë të kampionatit barazuan 2-2 në San Siro dhe më pas po në Milano, i eliminuan nga Kupa me një fitore 1-2.
Para kësaj ndeshje, trajneri Motta deklaroi se skuadra e tij është aty ku e meriton ndërsa shtoi se do ta ribënte festimin e tij kundër Interit pavarësisht se si futbollist ka luajtur me zikaltërit.
“Ndeshja ndaj Interit për mua është thjesht ndeshja e radhës. Inter me të drejtë mban vendin e parë, është ajo e skuadra e vitit të kaluar që shkoi deri në finalen e Champions League. Por, edhe ne nga ana tjetër e meritojmë vendin që mbajmë në renditje, do të kërkojmë që ndaj Interit ashtu si në ndeshjet e tjera të bëjmë lojën tonë. Do të jetë një ndeshje e bukur për lojtarët e mi dhe për tifozët në stadium.
A do të festoja sërish si në San Siro? Nëse ndodh sërish do të isha shumë i lumtur, për mua ai festim është një kujtim i bukur”, u shpreh Thiago Motta./ Super Sport
Top Channel