Në pamje shihen momentet e tmerrit kur një helikopter turistik me gjashtë njerëz në bord kombi kontrollin dje dhe u përplas me një ndërtesë pak pas ngritjes në qytet.
Helikopteri ishte ngritur nga tarraca e një ndërtese në qytetin e dytë më të madh të Kolumbisë, Medellín, por shpejt nisi të rrotullohej jashtë kontrolli.
Sa më gjatë që mjeti ajror sillej në ajër aq më shpejt dhe zhurmshëm rrotulloheshin helikat e tij.
Gjithçka ndaloi kur ai u përplas me një ndërtesë disa metra larg dhe ra duke mbetur thuajse i varur në antenë në anë të saj.
Në video, kalimtarët në panik filmonin ngjarjen teksa komentonin: “U rrëzua, ata janë vrarë.”
Por mrekullisht të gjashtë personat në bord i mbijetuan rrëzimit të frikshëm, pa plagë serioze.
Dhjetra punonjës emergjence nxituan drejt helikopterit për të nxjerrë njerëzit në të.
Një nga dy pilotët e helikopterit kishte pësuar një këmbë të thyer dhe u dërgua në spital, ndërsa pesë të tjerët kishin vetëm plagë të lehta, thanë mediat vendase.
Autoritetet vendase thanë se po hetojnë shkaqet e ngjarjes së frikshme, çka besohet se ka të bëjë me një defekt teknik të mjetit ajror.
Helikopteri ishte një model Bell 206 dhe përdoret nga një kompani në Medellín për të marrë pamje të qytetit, në një fluturim 15 minutësh./The Sun/
Top Channel