Kryeministrat e Evropës qendrore thonë se nuk do të dërgojnë trupa në Ukrainë (fotot)

27/02/2024 18:56

“Ne nuk do të dërgojmë trupa ushtarake në Ukrainë” tha sot kryeministri çek Petr Fiala, pasi Emmanuel Macron tha se “nuk përjashtohet” dërgimi i trupave të NATO-s në terren atje.

Fiala kryesonte takimin e kryeministrave të Çekisë, Polonisë, Hungarisë e Slovakisë, i njohur ndryshe si grupi Visegrad i vendeve të Evropës qendrore. Kryeminsitri polak Donald Tusk dukej se mbështeste komentet e Fiala duke thënë se “hezitimi për të dërguar trupa, është i gjerë në rajon.

Çështja e re e përfshirjes së hapur të trupave të NATO-s në luftën në Ukrainë, erdhi pas një komenti të presidentit francez Emmanuel Macron që tha se ‘refuzonte të përjashtonte mundësinë’ e dërgimit të trupave tokësore në Ukrainë, sipas tij “për të ndaluar që Rusia të fitojë luftën”.

Katër vendet evropiano-qendrore thanë sot se nuk do të dërgojnë trupa dhe ishin të ndarë në lidhje me ndihmat ushtarake.

Çekia e Polonia kërkonin shtim të dërgimit të ndihmës ushtarake për Ukrainën, kurse Slovakia e Hungaria ishin kundër, shkruan rrjeti AFP.

Në takimin e grupit Visegrad, kryeministri hungarez Viktor Orban tha se vendi i tij “nuk do të dërgojë armë apo ushtarë në Ukrainë”.

Tusk dhe Fiala mbështetën idenë e sekuestrimit të fondeve ruse nëpër botë, duke thënë se arrinin në $300 miliardë, me të cilat mund të ndihmohej Ukraina.

Grupi Visegrad është themeluar në vitin 1991, dy vjet pasi Çekosllovakia, Hungaria e Polonia ndërruan sistemin komunist pas katër dekadash.

FOTO GALERI
3/3

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA