Takimi mes FMN dhe Bankës Botërore/ Ministri i Financave: Borxhi publik ka zbritur në nivelet e para krizave! Guvernatori: Viti 2023 u mbyll me rritje ekonomike 3.5%

16/02/2024 10:24

Në datë 16 shkurt 2024, në ambientet e Bankës së Shqipërisë u mikëprit Mbledhja e Konstituencës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).  Ky takim i organizuar nën kujdesin e Bankës së Shqipërisë dhe Ministrisë së Financave, mbledh së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konsistituence dhe zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Takimit iu drejtua me një fjalë përshëndetëse Kryeministri i Shqipërisë, SH.T.Z. Edi Rama, ndërsa fjalë në nisje të punimeve mbajtën Ministri i Financave, z. Ervin Mete, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë z. Gent Sejko, Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, z. Federico Giammusso dhe Drejtori Ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore z. Matteo Bugamelli.

Në fokus të kësaj mbledhjeje ishin sfidat aktuale me të cilat po përballen ekonomitë e këtyre vendeve dhe përqasjet sa më eficiente dhe të koordinuara me qëllim zhvillimin e tyre. Gjithashtu përfaqësuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe Bankës Botërore (BB) prezantuan perspektivat e këtyre dy institucioneve lidhur me sfidat globale si, luftrat dhe konfliktet, rritja e frekuencave te fatkeqesive natyrore, shtimi i varferise dhe pabarazise dhe hapat qe ata po ndermarrin per  ti trajtuar keto probleme duke synuar rritjen e qëndrueshme të ekonomive të vendeve.

Çështje të tjera të trajtuara sipas programit u lidhën me hapesirat e  që krijohen  nga zhvillimi i inteligjencës artificiale dhe shfrytëzimi sa më i mirë i burimeve energjetike dhe minerare në mbështetje të progresit ekonomik.

Ministri u shpreh se edhe në vlerësimet e Fondit Monetar dhe Bankës Botërore, Shqipëria rezultoi si një nga ekonomitë më rezistente në rajon dhe kjo qëndrueshmëri është inkurajuese edhe për perspektivën afatmesme dhe afatgjatë, si edhe për shëndetshmërinë e financave publike në vend.

  1. Mete vuri në dukje se borxhi publik jo vetëm që zbriti në nivelet e para krizave, por arriti nën 60% për herë të parë që nga viti 2011, duke shënuar një nivel prej 59.2% në fund të vitit 2023, sipas vlerësimeve më të fundit. duke e vendosur Shqipërinë ndër vendet që kanë ulur me ritmin më të shpejtë borxhin publik në rajon.

Ministri Mete theksoi se po punohet për finalizimin e një strategjie të Menaxhimit të Financave Publike, në koordinim me Bashkimin Evropian, si një nga parakushtet themelore të avancimit me negociatat drejt BE-së. Pjesë e reformave të Menaxhimit të Financave Publike është edhe Strategjia Afatmesme e të Ardhurave, për të cilën kemi punuar së bashku me FMN-në për të përmirësuar administrimin fiskal dhe efektshmërinë e politikave tatimore.

Guvernatori Sejko në fjalën e tij shprehu kënaqësinë e hapjes së këtij aktiviteti dhe falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin e deritanishëm në fushat me interes të përbashkët.

Në vijim, Guvernatori u shpreh se viti 2023 për Shqipërinë u mbyll me një rritje ekonomike rreth nivelit 3.5%, me një normë papunësie në minimumet e veta historike, si dhe me një borxh të huaj, borxh publik dhe tregues të kredive me probleme, poshtë niveleve që kishin përpara goditjeve. Në veçanti, inflacioni u përgjysmua gjatë vitit të shkuar, duke zbritur në nivelin 4%, ndërsa treguesit e shëndetit të sektorit bankar mbeten pozitivë.

“Një surprizë e vitit 2023 ishte rritja e interesit të të huajve për vendin tonë. Shqipëria mirëpriti rreth 10 milionë vizitorë, duke u ngjitur në vendin e tretë në botë për rritjen më të shpejtë të turizmit dhe duke regjistruar – për herë të parë në historinë e vet – suficit të llogarisë korrente. Gjithashtu, viti 2023 është në rrugë të mbarë për të qenë viti me nivelin më të lartë të investimeve të huaja direkte, duke dëshmuar edhe njëherë atraktivitetin e Shqipërisë si destinacion investimi.” – theksoi Guvernatori.

Ndër të tjera Guvernatori nënvizoi se banka qendrore duhet të çojë deri në fund luftën kundër inflacionit. Trendi rënës i tij është lajm i mirë, por një inflacion në rënie nuk është një inflacion në objektiv. Prandaj, bankat qendrore duhet të vijojnë të fokusohen në marrjen e masave të nevojshme për kthimin e inflacionit në objektiv, si parakusht për rritjen e qëndrueshme të ekonomive dhe të mirëqenies së qytetarëve.

Ministri i Financave dhe Guvernatori zhvilluan gjithashtu takime dypalëshe me homologët e tyre pjesëmarrës në kuadër të zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjes së interesit për investime strategjike në Shqipëri.

* Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Federico Giammusso.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës është z. Matteo Bugamelli.

 

 

Top Channel