Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, inkurajon Serbinë që të ndërmarrë veprime proaktive për dialogun me Kosovën.

Sipas tij, për një normalizim të shpejtë duhet të përfshihen edhe kompromise nëse është e nevojshme.

Në një letër drejtuar presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, për Ditën e Shtetësisë Serbe, Biden garanton se SHBA do të bashkëpunojë ngushtë me Serbinë, Kosovën dhe Bashkimin Evropian në dialog.

“Unë inkurajoj Serbinë të ndërmarrë hapa përpara në promovimin e paqes dhe stabilitetit në të gjithë rajonin dhe të ndërmarrë hapa proaktivë, duke përfshirë kompromise kur është e nevojshme, me qëllim të normalizimit të shpejtë të marrëdhënieve me Kosovën përmes dialogut nën patronazhin e Bashkimit Evropian. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të punojmë ngushtë me ju, Prishtinën dhe partnerët tanë të Bashkimit Evropian për të arritur këtë qëllim të rëndësishëm”, thuhet në letrën e Biden, që raportojnë mediat vendase.

Presidenti amerikan shton se Serbia, nën udhëheqjen e Vuçiçit, i është bashkuar 140 vendeve demokratike të botës në Kombet e Bashkuara që kanë dënuar luftën e Rusisë në Ukrainë.

“Është e rëndësishme që ne të mbetemi të bashkuar në mbështetjen e Ukrainës dhe të dënojmë luftën brutale të Rusisë”, vazhdon letra e tij.

Siç raporton “N1”, në letrën e Biden drejtuar Vuçiçit, theksohet se “normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën është kyç për të ardhmen paqësore dhe të suksesshme të Serbisë dhe rajonit”.

Top Channel