Bankat, miliona jashtë vendit! Fitime rekord me borxhin e qeverisë, kredia për ekonominë nuk u rrit mjaftueshëm

14/02/2024 19:48

Fituesit më të mëdhenj nga kriza e çmimeve gjatë vitit të kaluar ishin bankat tregtare.

Me rritjen e normave të interesit nga Banka e Shqipërisë për të luftuar inflacionin, bankat tregtare u treguan mjaft agresive duke blerë tituj borxhi shtetëror që u siguroi atyre kthime të shpejta dhe të kënaqshme pa risqe të mëdha duke siguruar fitime rekord. Shifrat tregojnë se aktivet e sektorit bankar në fushën e letrave me vlerë u rritën me 10.5%. Ndërkohë nga krahu tjetër kredidhënia u rrit me vetëm 3.4%, pasi kriteret u shtrënguan ndjeshëm për individët.

“Bankat në përgjithësi janë të ngurta kanë një karakter më shumë të bankave tregtare ndryshe si bankat simotra në vendet evropiane. Në Shqipëri bankat janë të tilla që luajnë një politikë nuk merren me biznesin e mesëm dhe të vogël dhe me një pjesë të individëve për shkak të kritereve shumë strikte për aplikimin për kredi”, tha Eduart Gjokutaj.

Ndërkohë edhe rritja e kredidhënies sipas Bankës së Shqipërisë erdhi e gjitha në pjesën e sektorit të pasurive të paluajtshme me 660 milion euro, ndërsa kredia në gjithë segmentet e tjera pësoi rënie.

“Duhej që t’i shërbenin sektorëve të ekonomisë si bujqësia apo atyre që mbartin edhe një lloj risku”, tha Gjokutaj.

Ndërkohë sipas Open Data, në 2022-in, katër bankat më të mëdha në vend BKT, Raiffeisen Bank, OTP Bank dhe Intensa sanpaolo dërguan jashtë vendit 20.9 miliardë lekë apo 190 milion euro. Sipas ekspertëve këto para i mungojnë ekonomisë së vendit

“Më së shumti janë lëvizje riatdhësime të parave, falë edhe politikave fiskale favorizuese që nuk i takson riatdhesimet e parave në vendet e destinacionit. Dhe natyrshëm e gjitha kjo tregon që me anë të likuiditetit të tyre ndihmojnë më shumë Bankat e tyre mëma, sesa pjesën e asaj çfarë duhet të kishin të ekspozuar në Shqipëri”, shton eksperti.

Bankat tregtare në Shqipëri gjithnjë e më shumë kanë rritur varësinë ndaj borxhit të varur që ka arritur në nivelin 11.5% ndaj kapitalit rregullator. Ato për të plotësuar kriteret që i ka vendosur Banka e Shqipërisë, financohen nga kompani private dhe individët në mënyrë që t’i kenë duart e zgjidhura për të shpërndarë fitimin te aksionerët.

Top Channel